Lajme

Mësimdhënësja lehonë e Drenasit paditë komunën për mosekzekutimin e pagave

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci përmes rrjetit Facebook ka njoftuar se sot është paditur komuna të cilën ai e drejton, e aq më keq nga një mësimdhënëse lehonë.

Lladrovci ka shkruar se padia ka ardhur nga mësimdhënësit, si pasojë e mosekzekutimit të pagave nga Thesari i Ministrisë së Financave.


I pari i Komunës së Drenasit ka thënë se veprimi i fundit i Qeverisë, ka prekur edhe pagat e një lehone.

“Sapo u njoftova se filluan paditë e para kundër komunës së Drenasit me rastin e ndalesës së pagave ndaj mësimdhënësve edhe pse ndalesa është bërë nga Thesari i Ministrisë së Financave, mirëpo, mësimdhënësit kanë kontrata të lidhura me Komuna, e aq më keq, në rastin konkret, është ndaluar paga një lehone”, ka shkruar Lladrovci.

Në rast se nuk ekzekutohen pagat sipas Lladrovcit, do të kemi ngarkesë të sistemit gjyqësor dhe se do të dëmtohet buxheti nga shpenzimet procedurale nëpër gjykata.

“Unë si kryetar komune po e përcjell me mjaft shqetësim një situatë të tillë, në të njëjtën kohë i bëj thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës, rrjedhimisht Ministrisë së Financave që të gjej zgjidhje dhe të bëj ekzekutimin e pagave për të gjithë mësimdhënësit, në të kundërtën do të kemi ngarkim të sistemit gjyqësor, rrjedhimisht dëmtim të buxhetit nga shpenzimet procedurale nëpër gjykata”, ka përfnduar shkrimin e tij, Ramiz Lladrovci.

Mosekzekutimi i pagave për mësimdhënësit ka ngritur reagime të shumta tash e një javë.

Në një deklaratë për medie, SBAShK-u gjatë ditës së djeshme ka paralajmëruar Qeverinë se dita e premte është afati i fundit për ekzekutimin e pagave./Shqip.com

Padia ndaj Komunës së Drenasit

/Shqip.com