Lajme

Mesazhet e mirëseardhjes në Serbi: ARKEP arsyeton IPKO-n para deputetëve

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti viziton ARKEP-in

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti kanë vizituar të enjten Agjensioni Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP),  për të marrë më shumë informacione rreth mesazheve që operatori IPKO u ka dërguar klientëve të vet në një pjesë pranë Manastirit të Deçanit, ku u urohej mirëseardhje në Serbi, transmeton Shqip.com.

Me këtë rast, deputetët kërkuan nga ARKEP që ta mbikëqyrë MTS që të mos interferojë tek operatorët tjerë.

Kryetari i bordit të këtij agjensioni, Nazim Rahimi, tha se ky problem ka qenë teknik si rezultat i marrëveshjes së roaming-ut mes operatorëve IPKO dhe Telekom Serbija.

Ai tha se menjëherë kanë kontaktuar IPKO-n për të marrë sqarime për atë që ka ndodhur, teksa shtoi se IPKO e ka zgjidhur brenda ditës këtë çështje.

“Ai tekst ka qenë si shenjë identifikimi që konsumatori ka hyrë në një zonë roaming (ndërkombëtar)… Në momentin që e kemi marrë informatën ne kemi komunikuar menjëherë, brenda ditës, me IPKO-n dhe kemi kërkuar sqarime për këtë çështje. Ata brenda ditës, po atë ditë kur është publiku lajmi, na kanë informu që e kanë rregullu”, ka thënë Rahimi.

“Këtë e kanë konfirmu edhe me shkrim, edhe gojarisht. Megjithatë, ne si ARKEP që të nesërmen kemi organizuar monitorim të MTS-it në pjesët ku është shfaqur kjo dukuri dhe në disa pika tjera[…]Pastaj ne si ARKEP kemi mbajtur një takim si bord dhe kemi kërkuar nga MTS dhe IPKO, dhe kemi marrë përgjigje që kjo ka ndodhur si çështje e marrëveshjes së roming-ut. Stacioni bazë i cili ka dhënë sinjalin për telefoninë mobile nuk është programuar në atë mënyrë që të ndalë dërgimin e sms-ve dhe ky problem është eliminuar menjëherë”, shtoi ai, raporton KP.

Në rast se kjo dukuri përsëritet edhe njëherë, Rahimi tha se do të sanksionojnë të dy operatorët.

“Ne kemi marrë prej tyre përgjigjet dhe do t’iu shqiptojmë vërejtje me shkrim të dy operatorëve që në rast se një dukuri e tillë përsëritet me automatizëm ne do t’i sanksionojmë”, shtoi ai.

“Në atë që unë pashë dje në atë marrëveshje, që e kanë të gjithë operatorët ndërmjet vete, unë nuk pashë që ka ‘Kosovë dhe Metohi’, është vetëm fjala Kosovë”, tha ai. /Shqip.com