Lajme

Merret vendimi për të dyshuarin e vrasjes në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se sot rreth orës 14:40 në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Ferizaj, ka ndodhur një rast i vrasjes dhe sipas informatave të para dyshohet se si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ka ndërruar jetë një person- e gjinisë femërore, ndërsa, një person tjetër- i mitur, ka mbetur i plagosur.

I dyshuari në këtë rast, me iniciale V.A., me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Hetuesit Rajonal të Policisë së Kosovës në Ferizaj në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e viktimës.

Brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për veprën penale të lartcekur.

Policia e Kosovës ka ndarë detaje të reja mbi rastin që tronditi sot Ferizajn, ku një person vrau një grua dhe plagosi një tjetër person.

Sipas policisë, i dyshuari V.A, 36 vjeçar, brenda Qendrës për Punë Sociale, në katin e parë, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy personave.

Viktima, E.C, 21 vjeçare, nuk iu bëri ballë plagëve të marra, duke ndërruar jetë në vendin ku ndodhi incidenti.

Ndërkaq, plagë trupore mori 15 vjeçari D.C, i cili u dërgua për mjekim në Emergjencën e Ferizajt.

/Shqip.com