Lajme

Merret vendimi ndaj arsimtarit që dyshohet për sulm seksual

Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit V.S, i dyshuar për vepër penale sulmi seksual nga Neni 229 dhe Neni 181 për vepër penale kanosje të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Të pandehurit iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, pasi që gjykata konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, duke pas parasysh peshën dhe mënyrën e kryerjes së veprave penale që i vihen në barrë si dhe faktin se në këtë çështje pritet të dëgjohen dëshmitarët dhe të dëmtuarit, rrethana këto që dëshmojnë se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, i njëjti mund të përsërisë vepra të njëjta apo të ngjashme penale apo mund të ndikojë në dëshmitarë dhe të dëmtuar”, thuhet në njoftim.

Lexo edhe:
Suspendohet për gjashtë muaj arsimtari nga Deçani që dyshohet se puthi nxënësen

Andaj, mbi bazën e të lartcekurave, e me qëllim të zhvillimit të procedurës në mënyrë të drejtë dhe zbardhjes së plotë të gjendjes faktike, gjykata erdhi në përfundim se masa e paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë fazë të procedurës dhe se masat e tjera nuk janë të mjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë dhe mbarëvajtjen e kësaj çështje penale.

/Shqip.com