Lajme

Merret vendim që ngrohja në Prishtinë të bëhet me mazut

Ilustrim

Ndërmarrja Publike “Termokos” njoftoi të mërkurën se ka ndërprerë furnizimin me ngrohje për të gjithë konsumatorët.

Për këtë çështje, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka mbajtur një takim urgjent në Termokos. Pas këtij takimi, kanë vendosur për opsionin e dytë, atë të ndezjes së mazutit, shkruan Shqip.com.

“Sot patëm një takim urgjent me Ndërmarrjen Publike “Termokos” lidhur me situatën e krijuar si pasojë e ndërprerjes së ngrohjes për qytetarët e Prishtinës. Morrëm vendmin e përbashkët që të futet në sistem opsioni B i ngrohjes, përmes ndezjes së mazutit”, ka shkruar Rama në Facebook.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama

Korporata Energjetike e Kosovës gjatë ditës së mërkurë ka njoftuar se deri të enjten e 16 dhjetorit nuk do të krijohen kushtet për furnizimin e Termokosit me avull për ngrohje qendrore.

“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se aktualisht në TC-Kosova A  kemi një gjendje stabile, ku në punë janë të tri njësitë aktive ( A3,A4 dhe A5) qe prodhojnë rreth 390 MË/h. Ndërsa në Kosovën B, deri në mesnate sot ishte ne pune njësia B1”.

“Në këtë drejtim ju bëjmë me dije se për shkak te një rrjedhje ne kaldajën e njësinë B1, ishim të detyruar të ndalim edhe këtë në mesnatë. Ekipet e specializuara kane filluar menjëherë përgatitjet për intervenim në sanimin e gjendjes”, thuhej në njoftimin e lëshuar nga KEK-u./Shqip.com