Teknologji Do të udhëtoni i vetëm në Mitrovicë? Shkruaj në aplikacionin “Udhë” që t’ju bashkohen edhe të tjerë që kanë të njëjtin destinacion

“Merr udhë” aplikacioni që lidh njerëzit në udhëtim, çmimi i biletës më i lirë

Çmimet e larta dhe mungesa e linjave të shpeshta të autobusëve ka bërë që dy studentë të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore drejtimi Shkenca Kompjuterike të krijojnë një aplikacion udhëtimi.

Bëhet fjalë për atë të quajtur ‘”Udhë”.

Shoferi, i cili ka për të udhëtuar me veturë private në një destinacion, informon personat që dëshirojnë të ndajnë udhëtimin më të dhe me  këtë rast, përdoruesit që e shohin njoftimin paguajnë një çmim më të volitshëm për rrugën që marrin bashkë.

Njëri nga përdoruesit, Zekerija Hoxhallar, thotë për SHQIP.com se këtë aplikacion e përdorë për të mos udhëtuar vetë dhe për t’i reduktuar shpenzimet.

“Këtë aplikacion e kam përdorur për të mos udhëtuar vetë dhe për shpenzime. Kam udhëtuar 17 herë si shofer dhe 2 herë si udhëtar. Deri më tani nuk kam pasur ndonjë përvojë të keqe me udhëtarë. Vendi ku takohemi është negociatë bashkë me udhëtarin ose shoferin”, tregon ai.

Ndërsa, krijuesi i aplikacionit, Eroll Gorçi, thotë se ky aplikacion tashmë numëron mbi 20 mijë përdorues.

“Autobusët, me të cilët kemi udhëtuar zakonisht, kanë qenë të stërmbushur dhe shumë herë kemi qëndruar në këmbë gjatë gjithë udhëtimit. Përveç kësaj, zakonisht pas orës 18:00 apo fundjavave ka më pak linja të rregullta mes qyteteve dhe alternativa e vetme mbetet taksi me çmime të papërballueshme për udhëtarë. Ne lansuam edhe aplikacionin mobil që sot numëron më shumë se 20,000 përdorues. Ky numër po rritet çdo ditë e më shumë”.

Pagesën në këtë rast e vendos shoferi dhe si staf shqyrtojnë çdo ankesë nga udhëtarët.

“Çmimi caktohet nga shoferi. Ankesat nga udhëtarët, si dhe shoferët, ne i marrim shumë seriozisht. Si pjesë e aplikacionit janë edhe ‘reviews’ ku të dyja palët mund të vlerësojnë udhëtimin nga një deri në pesë yje.

Po ashtu, ata mund të raportojnë te ne çdo parregullsi. Duke i marrë parasysh këto ne e kemi mundësinë që ata që nuk sillen mirë me të tjerët, t’i largojmë nga aplikacioni dhe grupi”, sqaron Gorçi.

Aplikacioni do të hyjë në funksion edhe në disa vende të rajonit

Aplikacioni përfshin të gjitha qytetet e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut si dhe qytetet kryesore të Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë.

Por, lansimi zyrtar në Shqipëri do të bëhet më 15 prill.

“Udhë” ka shtrirje në të gjitha qytetet e Shqipërisë, ndërsa lansimi zyrtar i aplikacionit do të bëhet në Tiranë me datë 15 prill 2022, nën organizimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Përveç Shqipërisë, do të bëjmë lansimin shpejt zyrtarisht edhe në vendet e tjera të rajonit”.

Ndryshe, ky aplikacion fillimisht ka qenë pjesë e inkubatorit të VentureUP, dhe po ashtu ka qenë njëra nga ekipet fituese të vitit 2021 në UPLIFT Albania në Tiranë.

Tani është pjesë e inkubatorit të ICK në Prishtinë./SHQIP.com