Lajme

Mërgimtarët nisen drejt Kosovës – krijohen kolona në pikat kufitare

Kolonë e veturave

Me ardhjen e mërgimtarëve në prag të festave të fundvitit në Kosovë kanë filluar të krijohen edhe kolona në vendkalimet kufitare.

Në Merdare dhe Dheu i Bardhë ka fluks më të madh të bashkatdhetarëve që po presin për të hyrë në territorin e Kosovës.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë kolonat arrijnë deri në 600 metra, hyrja në Kosovë përmes kësaj pike bëhet nga 90 deri në 120 minuta.

Ndërsa, në pikën kufitare me Serbinë, në Merdare, kolona e automjeteve është deri në 100 metra.

Në pikat e tjera kufitare të Kosovës me Serbinë nuk raportohet për pritje dhe kolona.

QKMK-ja ka njoftuar të premten se janë zbutuar masat për të hyrë në Kosovë.

Sipas njoftimit, nga tani shtetasit e Kosovës që futen në territorin e vendit mund të kalojnë kufirin edhe me një test PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë, apo t’u kërkohet karantinimi për periudhë shtatë ditore.

Deri tash, hyrja në Kosovë ishte e pamundur pa të paktën njërën dozë të vaksinës anti-COVID’19.

“Të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës, që tentojnë të hyjnë në Kosovë, përmes pikave kufitare, në rast të mungesës së certifikatës së vaksinimit, për t’ua mundësuar hyrjen, Policia do të kërkojë testin PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë, apo të kërkojë karantinim për periudhë 7 ditore”, thuhet në njoftim./SHQIP.com