Lajme

Memli Krasniqi viziton Thaçin e Veselin në Hagë, ua uron festën e Pavarësisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, Javën e Pavarësisë e ka përmbyllur në Hagë, ku ka uruar ish-krerët e UÇK-së dhe të PDK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli për 15 vjetorin e Pavarësisë.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi është shprehur se kjo festë nuk do të ishte e plotë pa i uruar çlirimtarët.

“Shënimi i 15 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nuk mund të ishte i plotë pa i uruar ata që tërë jetën punuan e sakrifikuan për lirinë që e gëzojmë sot dhe që ngritën themelet e shtetit tonë – Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin”, shkruan Krasniqi.

Kreu i PDK-së thotë se me Thaçin e Veselin kanë kujtuar momentin e shpalljes së Pavarësisë.

“Duke rikujtuar së bashku momentin dhe emocionet e 17 Shkurtit të vitit 2008, por edhe aspiratat që i kemi përmbushur në vijim, urova që Hashim Thaçi e Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi dhe të gjithë çlirimtarët e tjerë t’i kemi në Kosovë në festat e ardhshme, si triumfues e fitimtarë. Përherë falënderues për kontributin e tyre të pashoq për Kosovën!”, shkruan Krasniqi.

/Shqip.com