Lajme

Memli Krasniqi entuziast për rezultatin e PDK-së: Skenderaj e Mitrovica nderuan Hashim Thaçin e Kadri Veselin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i është gëzuar fitores pa balotazh, sipas tij, në Mitrovicë dhe Skenderaj.

Kjo fitore në dy komuna, Krasniqi ka thënë se iu dedikohet Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

“Qytetarët e vendlindjeve të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit na nderuan me mbështetjen e tyre”, ka thënë Krasniqi, duke iu referuar fitores në Mitrovicë nga Bedri Hamza dhe në Skenderaj nga Fadil Nura.

Krasniqi ka thënë se PDK-ja është parti e lirisë duke shtuar se “është e fort dhe do të bëhet edhe më e fort”.

“Bazuar në të dhënat tona PDK-ja tashmë ka fituar pa balotazh në Mitrovicë, Ferizaj, Skenderaj, Kaçanik dhe Hani i Elezit”.

Krasniqi ka thënë se do të fitojnë në balotazh edhe në Prizren, Drenas, Shtime, Dragash, Malishevë e Klinë.

“Dua t’i falënderoj shumë secilin prej tyre për punën e madhe që kanë bërë”.

Krasniqi e ka përmendur edhe kandidatin e PDK-së për Prishtinën, Uran Ismaili, që sipas tij, e ka rritur partinë në 100 për qind.

“Në këto zgjedhje e gjithë Kosova e ka përgëzuar për fushatën e Prishtinës Uran Ismailin. PDK ka shënuar rritje 100 për qind në Prishtinë, që i falënderoj dhe i përgëzoj”, ka thënë Krasniqi në një konferencë për media nga selia e partisë.

Këto zgjedhje lokale janë të parat për Memli Krasniqin si kryetar i PDK-së, që e pasoi Kadri Veselin, pasi ky i fundit po akuzohet nga Gjykata Speciale.