Lajme

Meloni i del në mbrojtje Edi Ramës: U linçua pse po ndihmon kombin tonë, Italinë! Të shprehim solidaritet me kryeministrin shqiptar!

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni doli në krah të kryeministrit Edi Rama pas debatit në Itali dhe në Shqipëri nxitur nga emisioni “Report’ i Rai3 për marrëveshjen mes Shqipërisë e Italisë për emigrantët.

“Rama u linçua sepse ndihmoi kombin tonë”, tha ajo sot gjatë Konventës së Forza Italia në të cilën shpalli kandidaturën e saj në zgjedhjet europiane të 8 dhe 9 qershorit. “Më ndihmoni t’i dërgojmë solidaritetin tonë Edi Ramës i cili u lincua vetëm se tentoi të ndihmonte kombin tonë”, u tha ajo të pranishmëve në konventën që mbahet në Pescara.

Dhe gjatë reagimit të saj nuk mungoi as kritika ndaj emisionit “Aq më tepër që e prezantuat si Telemoni, apo jo, Telemeloni? tha Meloni me ironi duke hedhur poshtë akuzën e opozitës por dhe të vetë gazetarëve të RAI-t se ka ndërhyrë në punën e tyre gazetareske. Realizuan një emision për Shqipërinë në të cilin e portretizuan “si një narko-shtet”, vijoi më tej.

Duke iu drejtuar kundërshtares politike, sekretares së Partisë Demokratike të qendrës së majtë të opozitës italiane, Elly Schlein tha: “Na thonë, në Itali e në Evropë, ku duan të jenë: Të na thonë nëse duan të jenë me ne në anën e ligjshmërisë dhe në anën e atyre që luftojnë skllavëruesit, apo nëse duan të jenë në krah të emigracionit masiv të paligjshëm që pasuron rrjetet kriminale. Ia kërkoj këtë në veçanti sekretares së Partisë Demokratike, Elly Schlein, duhet të jetë e qartë për këtë”, nënvizoi më tej Meloni.

“Në thelb mbetet vetëm të çmontojmë çdo zgjidhje strukturore që ne përpiqemi ta zbatojmë për këtë çështje. E bënë parlamentarët e tyre në Europë me marrëveshjen me Tunizinë dhe Egjiptin, E bënë gazetarët e tyre në Shqipëri kundër qendrave që po hapim. E bëjnë disa gjyqtarë militantë në Itali kundër normave për të riatdhesuar më shpejt atë që nuk ka të drejtë të qëndrojë në Itali apo Europë”, vijoi më tej.

/Shqip.com