Lajme

Meliza Haradinaj për Asociacionin: As me kompetenca ekzekutive, as të ndërmjetme

Ish-kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla

Ish-kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka folur lidhur me Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Përmes një varg postimesh në Twitter, Haradinaj-Stublla thotë se Asociacioni nuk duhet të jetë as me kompetenca ekzekutive e as të ndërmjetme.

„AS KOMPETENCA EKZEKUTIVE, AS TË NDËRMJETME! Një plan i ri implementimi për Asociacionin (shtesë atij të vitit 2015) përbën rrezik për riciklimin e të gjitha 23 çështjeve problematike të cilave “u shpëtuam” përmes aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese“, shkroi Haradinaj-Stublla.

Ish-kryediplomatja tregon se si mund të evitohet rreziku që Qeveria po bën me rinegociim të Asociacionit.

„Rrezikimi që po bën Qeveria me rinegociim, arsyetohet vetëm nëse arrijnë që në planin e ri implementues t’i evitojë edhe kompetencat ekzekutive, edhe ato të ndërmjetme, e po ashtu të ruajë mbrojtjen ligjore dhe filtrin final përmes Gjykatës Kushtetuese“.

Tutje, Meliza Haradinaj thotë se çdo epilog tjetër do t’a instalojë Serbinë në Kosovë.

“Secili epilog tjetër do t’a instalojë pakthyeshëm Serbinë zyrtare në Kosovë, dhe ky fatalitet do t’i faturohet – përveç dy ish kryeministrave Mustafa e Thaçi – edhe kryeministrit aktual Kurti”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u pajtuan të hënën me propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk pati nënshkrim dokumenti.

Arsyeja ishte, sepse palët kishin mospajtime për zbatimin e tij.

Megjithatë, sipas shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, të dy udhëheqësit treguan sjellje të përgjegjshme dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje.

/Shqip.com