Lajme Botë

Meksika po heton rastin për zjarrin vdekjeprurës në qendrën e emigrantëve

Prokurorët meksikanë thonë se kanë identifikuar tetë të dyshuar që mendohet se janë përgjegjës për vdekjen e 38 personave nga zjarri në një qendër burgimi për migrantët.

Pesë nga të dyshuarit raportohet të jenë roje sigurie në njësinë në Ciudad Juarez, një qytet në kufirin amerikan.

Autoritetet përballen me presion në rritje për të shpjeguar pse viktimat, të cilët erdhën nga Amerika Qendrore dhe Jugore, nuk u liruan kur shpërtheu zjarri, raporton BBC.

Zjarri u shkaktua pasi imigrantët në shenjë proteste kundër një deportimi të mundshëm të tyre, u vunë flakën dyshekëve. Kjo konsiderohet si ngjarja me pasojat më të rënda që ka prekur një qendër imigrantësh në Meksikë.

“Ata nuk e kishin imagjinuar kurrë se kjo do të shkaktonte këtë fatkeqësi të tmerrshme”, tha presidenti Andres Manuel Lopez Obrador duke shtuar se në vendngjarje ndodhej edhe drejtori i agjencisë së imigracionit të vendit.

Zjarri shpërtheu të hënën në mbrëmje vonë në qytetin Ciudad Juarez, që ndodhet pranë El Pasos në shtetin e Teksasit, një qytet që konsiderohet si pikë kryesore e kalimit të imigrantëve për në SHBA.

Instituti Kombëtar i Emigracionit njoftoi se ishin plagosur 29 persona.

Autoritetet thanë se në momentin e shpërthimit të zjarrit, në objekt ndodheshin 68 persona të gjithë meshkuj.

Personat që humbën jetën si dhe të plagosurit ishin nga Guatemala, Hondurasi, El Salvadori, Venezuela, Kolumbia dhe Ekuadori. Por sipas zyrës së prokurorit të përgjithshëm meksikan kontigjenti më i madh ishte nga Guatemala.

Tensionet mes autoriteteve dhe emigrantëve duket se janë rritur në javët e fundit në Ciudad Juarez, ku strehimoret janë plot me imigrantë që kërkojnë të kalojnë kufirin drejt SHBA-së.

/Shqip.com