Lajme

Mehmeti dhe Johnson flasin për pajisjen e policëve në Kosovë me kamera të trupit

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, priti sot në takim Zëvendës Ndihmës Sekretaren e Shtetit, Lisa Johnson

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, priti sot në takim Zëvendës Ndihmës Sekretaren e Shtetit, Lisa Johnson, nga Byroja Ndërkombëtare për Luftën kundër Narkotikëve dhe Zbatim.

Në njoftim për media të policisë thuhet se në këtë takim është diskutuar përpjekjet e vazhdueshme të partneritetit ndërmjet dy kombeve.

“Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Shtetit Johnson dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës diskutuan për progresin e sundimit të ligjit në Kosovë, sfidat e vazhdueshme dhe sukseset e fundit në luftën e prodhimit dhe trafikimit të narkotikëve në rajon, korrupsionin dhe trendet tjera të krimit me të cilat ballafaqohet Kosova”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje thuhet se udhëheqësit gjithashtu diskutuan për pilot- programin e ardhshëm, i cili do t’i pajisë policët e përzgjedhur të Kosovës me sisteme të kamerave për trup, me plan që viteve të ardhshme Policia e Kosovës plotësisht të pajiset me këso kamera.

“Ky takim ishte jashtëzakonisht pozitiv, takim ky i cili edhe një herë ilustron lidhjet dhe partneritetin e fortë në mes komuniteteve për zbatimit të ligjit në Kosovë dhe SHBA. Së bashku, ne përsëri do i tregojmë botës fushat e ndryshme në profesionin e policisë në të cilat Policia e Kosovës vazhdon të zhvillohet dhe forcojë aftësitë e saj për të mbrojtur dhe për t’i shërbyer të gjithë popullit të Kosovës”.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë të punojë pa u lodhur për ta forcuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet tashmë fantastike ndërkombëtare me partnerët tanë globalë, veçanërisht me INL-in dhe ICITAP-in të cilëve ju jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme”, tha drejtori i përgjithshëm Mehmeti në mbyllje të ngjarjes.

Vizita u përmbyll me ceremoninë e nënshkrimit për dhurimin e sistemit të ri për komunikim të sigurt që do të përdoret nga hetuesit në terren./SHQIP.com