Lajme

Mehaj pas takimit me Corell: Vlerësoi lartë kontributin e ushtarëve tanë në misionet e paqes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe Shefi i Gardës Kombëtare të Iowa-s, Benjamin Corell

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj është deklaruar pas takimit me majorin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, Benjamin Corell, si dhe pjesëtarët e FSK-së që po qëndrojnë për trajnime në Iowa.

Mehaj përmes një postimi në Facebook ka shkruar se së bashku me kryeministrin, Albin Kurti kanë takuar majorin Corell.

“Corell vlerësoi lartë kontributin e ushtarëve tanë në misionet e paqes në Lindjen e Mesme, e në anën tjetër ne e falënderuam për bashkëpunimin e vazhdueshëm, faktin që Republika e Kosovës tashmë shihet si partner i besueshëm i gatshëm për bashkëzbarkim me Gardën Kombëtare të Iowa-s në çdo mision”, ka shkruar Mehaj.

Ai gjithashtu ka thënë se zbarkimi i FSK-së së bashku me ushtarët e SHBA-ve në misione jashtë shtetit të Kosovës, strehimi dhe asistimi i transportimit të refugjatëve afganë, janë elemente të një shteti bashkëpunues që përqafon vlerat evropiane, si dhe hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të reformës në Ushtrinë e Republikës së Kosovës sipas standardeve Euro-Atlantike.

“Misionet paqeruajtëse, kërkesa për bazë të përhershme ushtarake amerikane në Republikën e Kosovës dhe vullneti i Qeverisë për bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, janë mesazh i qartë i qëndrimit tonë karshi aleatëve tanë dhe gatishmërisë së vazhdueshme që kemi për të qenë kontribues të sigurisë në botë”, ka shkruar Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes ka thënë se ky partneritet ndërmjet Kosovës dhe Iowa-s ka ndihmuar në shkëmbimin e vlerave dhe përvojave dhe do t’u ofroj qytetarëve të të dy shteteve mundësi më të mëdha.

Sipas tij Kosova me rininë e saj dhe Ioëa me kompanitë e gatshme për investim, janë sinergjia e një miqësie të përjetshme me rezultate shumë pozitive./Shqip.com

Kryeministri i Kosovës, albin Kurti, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe Shefi i Gardës Kombëtare të Iowa-s, Benjamin Corell