Lajme

Mehaj kërkon drejtësi edhe për masakrat e Kosovës te Memoriali i Gjenocidit në Srebrenicë

Memoriali i Gjenocidit në Srebrenicë

Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ai i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, po qëndrojnë në Memorialin e Gjenocidit në Srebrenicë për t’i kujtuar të rënët, në përvjetorin e 26-të të masakrës së Srebrenicës.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se bota nuk duhet të heshtë për gjenocidin e kryer duke theksuar se heshtja është vrasja e dytë e srebrenicasëve dhe qindra mijëra shqiptarëve të pafajshëm.

“Lutjet tona qofshin bekim i Zotit për shpirtrat e burrave dhe djemve të pafajshëm të Srebrenicës! Në tokën me eshtrat dhe hirin e tyre, u rritshin e lulëzofshin gjithmonë lulet simbol me petale të bardha! Aroma e tyre u shpërndaftë kudo në Botë me Shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për Srebrenicën”, ka shkruar Mehaj në llogarinë e tij në Facebook.

“Me shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat e Krushës së Madhe, Mejës, Izbicës, Prekazit, Likoshanit, Qirezit, Abrisë, Rezallës, Dubravës, Qyshkut, Reçakut, Makovcit, Suharekës, Kotlinës, Llashticës, e shumë masakra e krime tjera në Kosovë; Me shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat në Sanxhakun e Nishit, Gjilanit, Karadakut, Drenicës dhe gjithë Kosovën përgjatë një shekulli. Në bazë të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare dhe Konventës së Gjenevës mbi Krimet e Luftës, krimet e luftës nuk vjetërohen” është shprehur më tej ai. /Shqip.com