Lajme

Mehaj flet me gjeneralin Clark për sigurinë e Kosovës

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me gjeneralin amerikan në pension, Wesley Clark.

Siç njofton Mehaj, temë diskutimi kanë qenë zhvillimet e fundit gjeopolitike si dhe roli i Kosovës në sigurinë rajonale.

“Përgëzimet e Gjeneral Ëesley Clark për sukseset tona janë inkurajim i madh dhe motivim i veçantë për të vazhduar edhe më fuqishëm drejtë synimeve tona. Në bisedën e sotme telefonike me Gjeneral Clark, diskutuam për zhvillimet e fundit gjeopolitike, me fokus në rolin e Kosovës në këto rrethana sfiduese për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë”, shkroi Mehaj.

Ministri thotë se nga Clark mori përgëzime për angazhimet e suksesshme, ndërsa e quajti hero gjeneralin amerikan.

“Gjeneral Clark më përgëzoi për spektrin e gjerë dhe të suksesshëm të angazhimeve tona, duke shprehur edhe me këtë rast, përkrahjen e plotë dhe të pakursyer nga eksperienca profesionale dhe autoriteti i tij për Ministrinë e Mbrojtjes”, shkroi Mehaj.

“Falënderim dhe mirënjohje e përjetshme për Heroin tonë, Gjeneral Clark dhe të gjithë autoritetet vendim-marrëse amerikane për gjithçka që keni bërë dhe jeni duke bërë për Kosovën dhe botën demokratike. Kosova dhe populli i saj nuk harron mbështetjen tuaj, prandaj është dhe do të jetë si një trup i vetëm gjithmonë përkrahë jush, si vendi dhe populli më proamerikan në Botë”, përfundoi ministri Mehaj.

Kush është Wesley Clark?

Gjenerali amerikan, Wesley Clark, ishte Komandant Suprem i Forcave të NATO-s i cili udhëhoqi bombardimet e NATO-s në Kosovë.

Clark eshtë njëri nga personalitetet më meritor për vendimin që Aleanca Veriatiantike të intervenojë për të shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga spastrimi etnik që po kryente Serbia./Shqip.com