Lajme

Mehaj falënderon presidentin e Kroacisë: Do ta mbrojmë së bashku demokracinë

Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj
Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj

Në samitin e sotëm të NATO-s të mbajtur në Bruksel, Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka propozuar që Kosova të integrohet në këtë aleancë, e të bëhet më në fund shtet i plotë.

Me këtë rast, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka falënderuar presidentin Milanoviq, duke e quajtur mik të madh të vendit tonë.

“Do të vazhdojmë së bashku me ju, vendin tuaj dhe popullin vëlla kroat në rrugën e prosperitetit dhe mbrojtjes së vlerave euroatlantike të lirisë, demokracisë, duke i shërbyer paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe global”, ka shkruar Mehaj.

Zoran Milanoviq – president i Kroacisë

Në takimin e jashtëzakonshëm të vendeve anëtare të NATO-së është kërkuar që Kosova të anëtarësohet në këtë aleancë ushtarake.

Këtë kërkesë e ka bërë presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq i cili ka kërkuar nga disa shtete të NATO-së të njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe në këtë mënyrë t’i mundësohet integrimi në aleancën ushtarake.

 “Unë propozova që Kosova të integrohet dhe më në fund të bëhet një shtet i plotë. Rajoni është përmendur në këtë takim. Bosnja dhe Hercegovina, Moldavia si dhe Gjeorgjia u përmenden si vende të rrezikuara por në këtë takim nuk u përmend Kosova dhe Serbia”, ka thënë ai.

Takimi i jashtëzakonshëm i vendeve anëtare të NATO-së ka ndodhur me qëllim të koordinimit të veprimeve kundrejt agresionit rus në Ukrainë.

NATO-ja ka vendosur të dërgojë trupa luftarake në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki./Shqip.com