Lajme

Mediumi spanjoll: BE me shumë shpresa për Asociacionin dhe rivitalizimin e bisedimeve

Bashkimi Evropian shpreson në takimi i së martës në Bruksel ndërmjet presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit kosovar, Albin Kurti, do të shërbejë për arritjen e përparimit në marrëveshjet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe për të zhbllokuar çështjet si krijimi i asociacioni i komunave serbe.

Takimi mes Vuçiqit dhe Kurtit në Bruksel është i pari që nga marrëveshja për një dokument që shërben si një ‘hartë rrugore’ për adresimin e marrëveshjeve në pritje mes palëve dhe do të fokusohet pikërisht në respektimin e marrëveshjeve që nuk janë zbatuar kurrë.

Mediumi spanjoll Europapress shkruan se përmes këtij dokumenti, BE-ja shpreson të rivitalizojë bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe ish-krahinës së saj, e cila shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008.

Konkretisht, të martën pritet miratimi i deklaratës për personat e pagjetur, sqaroi zëdhënësi BE-së, Peter Stano, që do të pasohet me prezantimin dhe diskutimin rreth draft-statutit të parë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Kjo është një nga marrëveshjet e arritura në vitin 2013 në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, por që nuk u zbatua kurrë për shkak të mosmarrëveshjeve mes palëve lidhur me funksionimin dhe kompetencat që do të kishte ky institucion.

BE-ja shpreson se zhbllokimi i zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani mes palëve, është një mënyrë për të lënë pas paqëndrueshmërinë që ka shënuar procesin e negociatave dhe për të shërbyer në ndërmarrjen e hapave në bisedime, të zhvilluara prej më shumë se një dekade, por me pak rezultate.

/Shqip.com