Lajme

Mediumi slloven: Thaçi ka kërkuar të dërgohet në arrest shtëpiak në Slloveni

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi para Gjykatës Speciale në Hagë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që po akuzohet për “krime lufte” në Hagë, ka kërkuar nga Gjykata Speciale që të vendoset në arrest shtëpiak në Slloveni, transmeton Shqip.com

Siç raporton e përditshmja sllovene “Necenzuriano”, Thaçi po kërkon të mbrohet me arrest shtëpiak në këtë vend si vendi i tretë që nuk kufizon Kosovën dhe Holandën, derisa selia e Speciales në Hagë nuk kanë pranuar të komentojnë.

Megjithëse në dokumentet gjyqësore kur Thaçi kishte kërkuar lirimin me kusht në dhjetor të vitit të kaluar, nuk thuhet se cili vend është, sipas informacionit të këtij medium, zgjedhja e parë e Thaçit është Sllovenia.

“Ish presidenti i Kosovës gjithashtu supozohet ta kontrollojë këtë mundësi përmes kanaleve të ndryshme me qeverinë Sllovene, e cila duhet t’i garantojë një gjykate speciale se Thaçi nuk do të largohet nga territori i vendit tonë gjatë gjykimit. Haga nuk i përgjigjet pyetjes nëse Sllovenia ka ofruar tashmë një garanci të tillë”, thuhet më tej në artikull.

Dokumentet publike të gjykatës tregojnë se Specialja ia kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje nga arresti shtëpiak Thaçit.

Kjo kishte ndodhur në janar të këtij viti, duke u arsyetuar se Thaçi mund ta shfrytëzojë rastin për të ikur, dhe gjithashtu gjykata kishte pasur frikë se Thaçi mund të ndikojë te dëshmitarët. Sipas gjyqtarëve, Thaçi mund ta ushtrojë këtë ndikim edhe po që se mbahet në një shtet të tretë.

Mirëpo, gjykata mund t’i bëjë një rivlerësim kërkesës së Thaçit, pasi gjyqtari gjerman Kai Ambos, në një opinion të tij ka shkruar se duhet “konsideruar seriozisht kërkesa e Thaçit, nëse ai merr ndonjë ofertë nga ndonjë vend i tretë si garantues për të”.

Ai shkruan se “një ofertë e tillë do të ishte një argument i fortë për Thaçin”, derisa shtonte se “Thaçi është i bindur se do të mundet ta sigurojë këtë mbështetje nga një vend i tretë”. /Shqip.com