Sport Ndërkombëtar

Mediat serbe për refuzimin e vizave për sportistët nga Kosova: Spanjollët i kënaqin serbët!

Kosova po vazhdon të ketë pengesa me pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare nga vendet të cilat nuk e njohin atë si shtet.

Pengesa e fundit ka ardhur nga Spanja, ku ambasada spanjolle në Shkup ka refuzuar vizat e boksierëve kosovarë, të cilët do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të boksit në Alicane, La Nucia të Spanjës.

Ekipi i Kosovës, në përbërje prej dy boksierëve, Taulant Jakupi dhe Donat Syla, trajnerit Besim Brashimi dhe gjyqtarit ndërkombëtarë, Latif Demollit, pavarësisht se është paraqitur në kohë për pjesëmarrje në këtë Botëror, ka marrë përgjigje negative për viza nga ambasada spanjolle.

Mediet serbe i kanë bërë jehonë këtij lajmi. “Spanjollët i kënaqin serbët, i refuzojnë vizat për sportistët kosovarë”, shkruan gazeta serbe “Alo”, përcjell Shqip.com.

Federata e Boksit të Kosovës (FboxK) ka bërë të ditur se ka kërkuar sqarime nga Federata Botërore e boksit (IBA) për mos-pajisje me viza, ndërsa beson se politika nuk duhet t’i ndalojë sportistët tanë të marrin pjesë në këtë Botëror.

/Shqip.com