Lajme

Mediat ndërkombëtare jehonë vizitës së Blinken në Tiranë: SHBA vlerëson lidershipin e Shqipërisë në rajon

Vizita e sekretarit të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë ka gjetur, ndonëse jo në masë, një pasqyrim në mediat amerikane. Kështu, “ABC News” ka shkruar në edicionin e tij online se, vizita synon riafirmimin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me aleatin kyç të Ballkanit, që mbështet Ukrainën në përballjen me Rusinë.

Duke cituar zyrtarë amerikanë, rrjeti informativ ka nënvizuar se vizita ka në fokus të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, me Shqipërinë dhe fqinjët e saj që synojnë të aderojnë në Bashkimin Evropian.

“Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar lidershipin shqiptar në rajonin e gërryer nga lufta, si dhe rolin e tij në Këshillin e Sigurimit, si një vend anëtar jo i përhershëm”, shkruan “ABC”, sipas të cilit tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë mund të trajtohen gjithashtu gjatë vizitës.

Edhe agjencia “US News” ka shkruar se vizita e Antony Blinken në Shqipëri synon riafirmimin e marrëdhënieve mes vendin e vogël ballkanas, njëkohësisht një aleat kyç i Uashingtonit në rajon.
Ndërsa në Evropë, agjencia “Anadolu” ka raportuar se gjatë vizitës në Tiranë, që do të pasojë me atë në Gjermani, Blinken mund të bisedojë për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe përpjekjet për paqen në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë, “Politiko” ka shkruar se bëhet fjalë për një vizitë të rrallë të një sekretari Shteti në një vend të vogël, që nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1991.

Gazeta digjitale ka cituar zëdhënësin e Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller të deklarojë se: “Shqipëria është një partner jetik për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, që gjithashtu mbështet integritetin territorial të Ukrainës”.
Sipas burimit nga Departamenti i Shtetit, vizita do të fokusohet në të ardhmen e Shqipërisë dhe gjithë rajonit. Ish-ambasadorja Yuri Kim, që aktualisht mban postin e zëvendës ndihmëses së sekretarit të Stetit për Evropën dhe Euro-azinë, e ka cilësuar vizitën një celebrim të partneritetit mes dy vendeve.

/Shqip.com