Sport Shqiptar

“Mediat luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e sportit”

Konferenca Ndërkombëtare Media dhe Sporti

Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës ka mbajtur Konferencën e pestë Ndërkombëtare “Sporti dhe Media”, njofton Shqip.com.

Temë e kësaj konference ishte roli i medias në promovimin e sportit, dhe është organizuar në formën e diskutimit me panelistë.

Pjesë e diskutimit ishte edhe zëvendësministrja, Daulina Osmani, ku theksoi se kjo ngjarje tradicionale tashmë ka një rëndësi të veçantë për komunitetin dhe gazetarinë sportive në vend.

Zëvendësministrja, Daulina Osmani

Osmani, ka përmendur sukseset që ka arritur Kosova në shumë vende të botës këtë vit, dhe rëndësinë e mediave në promovimin e sportit.

“Ne e dimë se pa interesimin e publikut, sporti nuk do ta kishte vlerën që e ka. E ndërmjetësimin mes publikut dhe sportit e bënë pikërisht gazetaria sportive, e cila luan rol shumë të rëndësishëm në promovimin e sportistëve tanë”, ka shtuar Osmani.

Ndërkaq, kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, është shprehur se kanë marrëdhënie të mira me të gjitha mediat.

“Ky bashkëpunim i mirë kulmoi gjatë këtij viti edhe me dërgimin e gjashtë gazetarëve në Lojërat Olimpike Tokio 2020 të cilët patën mundësinë që të ndjekin nga afër të ndjekin suksesin historik te ekipit tonë olimpik. Ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në Lojërat Olimpike dimërore ‘Pekin 2020”, tha tutje Krasniqi.

Në këtë konferencë ka qenë i ftuar edhe Jura Ozmec, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, i cili kishte deklaruar se gazetaria sportive ka evoluar, dhe se vihet re një ndryshimi në krahasim me vitet e kaluara.

Në konferencë, është vlerësuar si i lartë bashkëpunimi ndërmjet mediave dhe sportit në Kosovë./SHQIP.com