Mediat e huaja shkruajnë për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj

Ngjarja e rëndë e ndodhur të dielën në Ferizaj ku mbeti e vrarë 18-vjeçarja M.O., ka bërë që edhe mediat ndërkombëtare të shkruajnë për të, njofton Shqip.com.
E përditshmja gjermane “Focus.de”, përmes një artikulli ka treguar ngjarjen për të cilën kanë raportuar mediat kosovare sa i përket vrasjes së 18-vjeçares nga i dashuri i saj, me të cilin dyshohet se ishte e martuar.
Mediat shkruajnë se në Ferizaj, dy burra kanë lënë viktimën në urgjencën e spitalit dhe më pas kanë ikur me një audi me targa zvicerane.
“Mjekët kanë konfirmuar vdekjen e saj dhe sipas zyrës së prokurorit publik, viktima ishte abuzuar fizikisht dhe ka vdekur si pasojë e plagëve të marra. Policia po heton me presion të lartë. Duke përdorur kamerat e vëzhgimit të spitalit, oficerët ishin në gjendje të identifikonin vendin e krimit dhe të dyshuarit”, thuhet në këtë artikull.
“Me sa duket akti ka ndodhur në një ndërtesë banimi në Ferizaj. Njëri nga dy burrat (32) është arrestuar që atëherë. I dyshuari i dytë (28) po vazhdon të kërkohet. Pikat kufitare të vendit të vogël kontrollohen, popullatës i kërkohet informacion”, shkruan më tej “Focus.de”.
Prokuroria Themelore në Ferizaj përmes një konference për media ka njoftuar për vrasjen makabre të 18-vjeçares, duke thënë se rasti ka noddhur në dhomën e banesës së viktimës dhe të dyshuarit.
Personat janë identifikuar, njëri është arrestuar kurse tjetri vazhdon të jetë në arrati. /Shqip.com