Lajme Botë

Mediat Amerikane: Shefi i CIA-s do të negociojë një armëpushim midis Hamasit dhe Izraelit

Pretendohet se presidenti amerikan, Joe Biden do të dërgojë drejtorin e CIA-s, William Burns, për të negociuar një armëpushim dhe një marrëveshje në shkallë të gjerë të shkëmbimit të të burgosurve midis Hamasit dhe Izraelit, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të gazetës Washington Post, bazuar në zyrtarë me njohuri për këtë çështje dhe që dëshirojnë të mbeten anonimë, Burns do të shkojë në Evropë në ditët në vijim për të marrë pjesë në takime me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdurrahman Al Thani, si dhe me homologët e tij izraelitë dhe egjiptianë.

Sipas lajmit, në bisedime do të diskutohet për pauzën më të gjatë në konfliktin (në Gaza) që po vazhdon që nga 7 tetori 2023 dhe për lirimin e të gjithë pengjeve.

Ndërsa kohëzgjatja e ndërprerjes së parashikuar në konflikt nuk dihet, disa lajme pohuan se Izraeli ofroi një armëpushim 60-ditor në këmbim të lirimit të të gjithë pengjeve.

Ndërsa zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë refuzuan të komentojnë pyetjet e gazetarëve në lidhje me udhëtimin e Burns dje, Koordinatori i Komunikimeve Strategjike të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha: “Diskutimet tona për të bërë një marrëveshje të re pengjesh po zhvillohen seriozisht”.

Në një lajm të publikuar dje në shtypin izraelit, pretendohet se Katari e kishte informuar Izraelin se Hamasi kishte pezulluar negociatat në lidhje me shkëmbimin e të burgosurve.

Në lajm thuhet se, “Hamasi u ka përcjellë ndërmjetësuesve të Katarit se kërkon që Izraeli, duke filluar nga faza e parë e marrëveshjes (shkëmbimi i të burgosurve) kërkon të tërheqë të gjitha forcat e tij nga Rripi i Gazës dhe të ndalojë luftën”.

/Shqip.com