Lajme

Media gjermane: Policia serbe u kërkon shqiptarëve të Kosovës 10 euro ryshfet për të kaluar kufirin”

Ryshfeti në kufirin e Serbisë

Miliona euro shkojnë çdo vit në xhepat e zyrtarëve policorë kufitarë të korruptuar, në mënyrë që të evitohen pritjet e gjata në kufirin e Serbisë, transmeton Shqip.com.

Disa njerëz janë intervistuar nga media gjermane ‘Deutsche Welle’, teksa kanë deklaruar se besojnë që ryshfeti nuk është i motivuar politikisht.

Sipas një vlerësimi, rreth gjysmë milionë njerëz me dokumente të Kosovës jetojnë në vendet e Evropës Perëndimore. Pothuajse secili që vjen në vendlindje për pushime apo për arsye të tjera, duhet të kalojë përmes Serbisë dhe gatishmëria është që të paguhen 10 euro për të kaluar më shpejtë nëpër kufi.

Dëshmitë e dhjetëra qytetarëve të Kosovës, të cilët i ka intervistuar DW-ja, thonë se “taksa rrugore” në kufirin serb nuk është një përjashtim, por një ligj, kryesisht në kufirin ndërmjet Serbisë e Kroacisë ose Serbisë dhe Hungarisë.

Sipas dëshmive, polici kufitar që kontrollon dokumentet, kërkon haptas para dhe se ata që refuzojnë të japin, përballen me pritje disa orëshe.

Një polic me përvojë, i cili ka arrestuar roje kufitare dhe doganierë të korruptuar shumë herë si pjesë e Sektorit të Kontrollit të Brendshëm, ka thënë për DW-në se nuk është i befasuar me këtë “tarifë”.

“Është një shifër që nuk i shkakton shumë dëm askujt dhe është e lehtë të pajtohesh të paguash,” tha ai, duke shtuar se “të gjithë marrin pjesë në këtë – nga komandanti i stacionit deri te çdo oficer”.

Disa bashkëbisedues kanë thënë se kjo nuk duhet të shihet si një trajtim i motivuar politikisht për shqiptarët e Kosovës. Kjo pasi, qytetarët me dokumente të Kosovës nuk mund të kalojnë nëpër Serbi me pasaportë të Kosovës por vetëm me letërnjoftim. /Shqip.com