Lajme

Media franceze: Pas dorëheqjeve, veriu i Kosovës në vakum të sigurisë

Pa polici apo gjykata, serbët në Kosovën e veriut janë mbërthyer në mes të një tjetër trazire pas shkëputjes masive të nëpunësve civil e cila shkaktoi pasiguri.

Për tre muaj, banorët që jetojnë në enklavat veriore serbe të Kosovës janë pa shërbimet bazë burokratike, duke përfshirë zbatimin e ligjit, gjykatat dhe institucionet e pushtetit vendor.

Ata që dëshirojnë të divorcohen, të blejnë një apartament apo të raportojnë një bashkëshort abuziv në zonat me shumicë serbe nuk kanë ku të shkojnë,

“Nuk ka polici, asnjë të cilit mund t’i drejtohem. Duhet të qëndrojmë qetësisht. Nuk ka alternativë,” i tha AFP Vasilije Milojeviç, një pensionist serb 83 vjeçar që jeton në qytetin verior të Mitrovicës.

Banorët në zonat që folën me AFP thonë se janë detyruar gjithnjë e më shumë të kujdesen për njëri-tjetrin mes krizës më të re, duke këmbëngulur se gjendja është shqetësuese por nën kontroll.

“Fqinjët janë këtu për njëri-tjetrin. Kemi gjithashtu qen në oborr,” tha Zhelal Kazagiç, 69 vjeç.

Për gati 25 vjet, Mitrovica ka qenë pika qendrore e tensioneve midis kundërshtarëve të vjetër, Kosovës dhe Serbisë, me një lumë që ndan qytetin dhe shqiptarët etnikë në jug nga serbët në veri.

Për të ndihmuar mbajtjen e paqes në veri, institucionet e Kosovës kanë tërhequr kryesisht personel nga popullsia e tyre, duke lejuar që zonat serbe të mbushin zyrat administrative me të afërmit e tyre etnikë.

Serbët kanë mbetur kryesisht besnikë ndaj Beogradit dhe nuk pranuan të njohin qeverinë e Kosovës, me kritikët që i akuzojnë ata për nxitje të trazirave me dëshirën e Serbisë.

“Nuk kam përshtypjen se ajo që kërkon Beogradi janë të drejtat e serbëve, ajo që ata po pasojnë është përdorimi i pranisë së serbëve për të penguar statusin tonë demokratik,” i tha AFP kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke diskutuar situatën në një intervistë të fundit.

Në nëntor, punonjësit civilë në zonat me shumicë serbe e lanë punën, me policinë, gjykatësit e po ashtu edhe anëtarët e parlamentit që jepnin dorëheqjen mes një serie mosmarrëveshjesh midis Kosovës dhe Serbisë.

Kjo dorëheqje pasoi me kohë të përshkallëzimit të tensioneve.

Megjithatë, edhe më herët Qeveria e Kosovës vendosi disa masa që kishin për qëllim forcimin e kontrollit më të madh mbi territorin e saj, duke përfshirë rregulla të reja për kartat e identitetit dhe targat e makinave, raporton AFP.

Vendimet shkaktuan një reagim të ashpër në veri, me barrikadat që u shfaqën në kufijtë me Serbinë së bashku me të shtënat e shpërndara që synonin policinë e Kosovës dhe trupat paqeruajtëse ndërkombëtare.

Pas shuarjes së tensioneve, zyrtarët si në Serbi, ashtu edhe në Kosovë pranojnë se janë nën presionin nga qeveritë perëndimore për të arritur një marrëveshje që zgjidh problemet në mës tyre.

Mosmarrëveshja e ashpër ka zgjatur për më shumë se dy dekada që kur  shqiptarët etnikë dhe forcat serbe hynë në luftë të gjithanshme në fund të viteve 1990, duke shkaktuar një ndërhyrje të NATO-s dhe tërheqjen e trupave të Beogradit e personelit qeveritar nga Kosova.

Shpallja e njëanëshme e pavarësisë së Kosovës në 2008 u kundërshtua haptazi nga Beogradi, aleatët e fuqishëm të të cilit janë Rusinë dhe Kinën bllokuan pranimin e këtij shteti në institucionet ndërkombëtare, siç janë Kombet e Bashkuara.

Midis tensioneve të fundit, autoritetet në Prishtinë këmbëngulin se gjendja në veri mbetet nën kontroll.

Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla i hodhi poshtë zërat për një boshllëk sigurie, duke thënë se qeveria mbetej e aftë me forcë për të ofruar “ligj dhe rend”.

“Policia e Kosovës është më funksionale se kurrë atje. Ka vështirësi, kjo është e qartë. Por këto vështirësi po krijohen si rezultat i veprimeve nga grupet kriminale atje, të cilat gjithashtu mbështeten dhe nxiten nga Serbia”, tha Sveçla

/Shqip.com