Lajme

Media britanike shkruan: Mbi 10 mijë shqiptarë erdhën me varka në vitin 2022

Më shumë se 10 mijë shqiptarë hynë ilegalisht në Britani duke kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla për të kërkuar azil vitin e kaluar. Ata përbëjnë gati 1 të katërtën e rekordit të më shumë se 45 mijë njerëzve nga e gjithë bota që bënë udhëtimin e rrezikshëm nëpërmjet ujit për të zbarkuar në Mbretërinë e Bashkuar. Javën e kaluar, një fluturim special dëboi dhjetëra shqiptarë nga Britania.

Pasi pranuan vetëm disa dhjetëra azilkërkues shqiptarë në vitin 2020, zyrtarët britanikë thanë se rritja e madhe e vitit 2022 mund të jetë për shkak të rritjes së organizimit nga kriminelët shqiptarë që veprojnë si kontrabandistë emigrantësh në Francën veriore.

Kryeministri Rishi Sunak dhe të tjerë kanë këmbëngulur se Shqipëria është një “vend thelbësisht i sigurt” dhe se shumica e kërkesave për azil nga qytetarët e saj janë të pabaza. Vendi në Ballkanin Perëndimor ka nisur negociatat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.

Sipas një hetimi të kryer në Shqipëri në nëntor, kontrabandistët përdorin rrjetet sociale për të bindur njerëzit të migrojnë në Mbretërinë e Bashkuar me premtimin e “parave të lehta” dhe një jete luksoze.

Shqipëria i dorëzoi të hënën një notë verbale ambasadorit britanik në Tiranë për të protestuar ndaj asaj që e quajti një “linçim verbal” nga një zyrtar britanik në komentet për emigrantët shqiptarë në vend.

Letra shprehte “shqetësimin për deklaratën e fundit të Ministrit të Shtetit për Emigracionin Robert Jenrick me gjuhë diskriminuese ndaj shqiptarëve”,

Gjatë fundjavës, Jenrick vizitoi një strukturë për emigrantët që mbaheshin në pritje të deportimit dhe falënderoi stafin për punën e tyre “të rëndësishme” “për të gjetur shqiptarët, për t’i ndaluar ata, për t’i hipur në makina, për t’i çuar në aeroport dhe për t’i kthyer në Tiranë. ”

“Një retorikë e tillë e përsëritur cenon frymën pozitive të bashkëpunimit dypalësh të konfirmuar në deklaratën e përbashkët (në dhjetor) të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe kryeministrit britanik Rishi Sunak,” – tha Ministria e Jashtme shqiptare.

Ministrja e Jashtme shqiptare Olta Xhacka tha të dielën në rrjetet sociale se ishte “e tronditur përtej fjalës kur dëgjoi një ministër shteti përgjegjës për emigracionin të përdorte një gjuhë të tillë për të siguruar disa vota ekstra të mjerueshme”

Më shumë se 100 emigrantë këtë javë mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar pasi kaluan Kanalin, ndërsa 45 u shpëtuan kur një varkë e gjeti veten në vështirësi, shkruan media britanike Express.co.uk

/Shqip.com