Ekonomi

Më shumë investime direkte – “qeveria e cilëson sukses”, opozita “mashtrim shifrash”

Banka Qendrore e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – më 13 tetor tregoi që investimet direkte gjatë qeverisjes së tij tetë mujore janë 259 milionë euro.

Statistika e dhenë nga kreu i ekzekutivit përputhet me të dhënat që i posedon Banka Qendrore.

BQK në një përgjigje për Shqip.com kumtoi se janë 259 milionë e 400 mijë euro investime direkte gjatë periudhës mars-tetor.

Kjo nënkupton që ka rritje krahasuar me vitin 2020. Pra, 120 milionë euro më shumë.

Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, Kosova regjistroi 138 milionë e 900 mijë euro investime direkte.

Sigurisht, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, statistikat e tilla i ka paraqitur si “suksese të ekzekutivit”.

Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Trasnfereve

Por, deputeti opozitar i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku thotë për Shqip.com se gjatë vitit të kaluar në periudhën e njëjtë pandemia COVID-19 i kishte shkaktuar dëme të mëdha tregut ndërkombëtar.

“Nuk mund të krahasohet viti 2021 me vitin paraprak, pasi dihet se gjatë disa muajve kishte izolim të plotë dhe mundësia për investime me fluks të lartë ishin të pamundura”, ka thënë Lushtaku.

Ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për “manipulim me shifra” dhe që politikat e ekzekutivit të Kurtit nuk janë në përputhje me mirëqenien sociale.

“Është mashtrim i Lëvizjes Vetëvendosje për ta mbuluar mospunën e tyre në qeverisje”.

Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku

Në anën tjetër, sipas ekonomistit Mustafë Kadriaj, investimet direkte kryesisht janë në sektorin e patundshmërisë.

Të njëjtën e thonë edhe nga BQK kur u pyetën se në cilët sektorë ka më së shumti investime direkte.

“Pjesa më e madhe e investimeve është bërë në sektorin e patundshmërisë, aktiviteteve financiare dhe të sigurimit, si dhe në sektorin e informimit dhe komunikimit”, thuhet në përgjigje.

Megjithatë, Kadriaj e konsideron si shumë të vlefshme faktin që ka rritje të investimeve të huaja.

Por, thotë se ky kapital po të ishte në prodhim atëherë dobia do të kishte qenë më e lartë – për faktin se rritet punësimi.

“Këto investime kryesisht kanë ardhur si rezultat i diasporës e cila e ka gatishmërinë për të investuar në sektorin e patundshmërisë”, tha ai.

Shton se kjo nuk lidhet me përformancën e Qeverisë apo kushtet ligjore e infrastrukturore

Beson që nëse largohen investimet nga mërgata, atëherë ato në bilancë mbeten fare pak.

Ekonomisti, Mustafë Kadriaj.

Banka Qendrore e Kosovës nuk i ka specifikuar etnitë e investitorëve, përpos që tregoi prejardhjen e këtyre investimeve direkte.

“Shtetet më të mëdha investuese në Kosovë janë: Gjermania, Zvicra, Turqia, Austria, ShBA, Shqipëria dhe Britania e Madhe”.

Koncepti i Investimeve Direkte.

Ilustrim

“Një investim i huaj direkt është një blerje e një interesi në një kompani nga një kompani ose një investitor i vendosur jashtë kufijve të saj”.

Është një nga definicionet më të përdorura në biznesin ndërkombëtar sa herë diskutohet për investimet direkte.

Në përformancën e ekonomive kombëtare luajnë rol edhe investimet direkte, bazuar në raportet e Bankës Botërore për secilën ekonomi veç e veç.

Po ashtu, në raportin e progresit të Këshillit Evropian përmendet edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kjo lidhet me analizën që korporatat shumëkombëshe e realizojnë para vendimit për investimin e kapitalit në një shtet.

Bazuar në ekonominë makro, investimet direkte sidomos në prodhim e rrisin  punësimin dhe konkurrencën e brendshme.

Gjithashtu, kjo pason edhe me zgjerimin e alternativave për sigurimin e buxhetit shtetëror. /Shqip.com