Kulturë

“Më lër brenda, më lër jashtë”, “britmë” e personave me nevoja të veçanta

Kati i tretë i Hotel Grand-it, u mbush me karroca, shkop për të verbër e punime të fëmijëve me autizëm.

Kjo formë e prezantimit të këtyre elementëve përmes ekspozitës, u bë për të ngritur zërin që kjo kategori të ketë të drejtat e barabarta me të gjithë qytetarët.

Kuratori i ekspozitës, Arbër Selmani, bëri thirrje që personat me nevoja të veçanta, të pranohen në shoqëri.

“Ekspozita më lër brenda më lër jashtë, është ekspozitë që i kushtohet dhe është krijuar nga persona me nevoja të veçanta. Është ekspozitë, e cila bërtet edhe një herë e përçon mesazhin që personat me nevoja të veçanta të indoktrinohen në jetë, kanë kalu shumë vite dhe boll kemi ba përralla dhe fjalë të panevojshme. Është koha me marrë veprime, shteti e ka shpall si vitin për persona me nevoja të veçanta, por nuk ka bë sa duhet. Është koha me i vendos këta njerëz aty ku duhet”, tha Selmani për Shqip.com.

Ekspozita është realizuar me gjësende të personave me nevoja të veçanta.

Afrim Maliqi, drejtor i Handikos tha se ekspozita shfaq gjithashtu vështirësitë me të cilat përballet kjo kategori në Kosovë.

“Sigurisht që është e mirë dhe e qëlluar. Ekspozita tregon jo vetëm vlerat dhe aftësitë e personave me nevoja të veçanta, por edhe vështirësitë më të cilat përballen ata në shoqëri, duke filluar nga qasja, shëndeti pajisjet ndihmëse dhe shumë çështje të tjera që vështirësojnë situatën tyre në vend”.

Ai tha se pjesëmarrja e tyre në institucionet shtetërore është jo e mjaftueshme.

“Jo mjaftueshëm sepse mundësitë institucionet tona nuk i kanë krijuar sa duhet, duke filluar prej qasmërisë dhe gjithashtu përfshirja e fëmijëve, dhe të rriturve në arsimin fillor dhe të lartë, është e vogël dhe kjo krejt për arsye të çështjeve që përballen personat me nevoja të veçanta”, tha tutje Maliqi.

“Kam kënaqësi që jam këtu nuk e di si të them përpiqem të jem modest, por jo modesti të rrejshme dhe kam ardhur të plotësoj dëshirën e Arbërit, që e vlerësoj shumë”, tha Mentor Mripa.

Edhe Elvana Shala, Ambasadore e Vullnetit të mirë për Kosovë, përkrahjen institucionale ndaj këtyre personave e sheh të mangët.

“Është shumë e ulët. Jemi dëshmitarë të faktit që në aspektin institucional është bërë shumë pak. Të vetmet aktivitete që kemi parë, janë këto nga artistët të ndryshme dhe shoqëria civile, që shpresoj që t’i shkojnë në vesh institucioneve dhe qeverisë të bëjnë më shumë. Nëse unë kam pas fatin që të jem 100% e inkuadruar në shoqëri, nuk është se e kanë të tjerët prandaj e kam pranu këtë festë që të jemi forcë për të tjerët”, tha ajo.

Ekspozita është e hapur për dy javë, çdo ditë prej orës 12:00 – 18:00.

/Shqip.com