Lajme Botë

E trishtë/ 98-vjeçarja ukrainase ecën 10 kilometra në këmbë për t’u shpëtuar rusëve

Për 98-vjeçaren Lidiia Lomikovska, pushtimi i Ukrainës nga Rusia është më i keq se Lufta e Dytë Botërore, të cilën edhe ajo e përjetoi. Ajo është mësuar t’u besojë instinkteve të saj.

Kjo është arsyeja pse kur forcat ruse hynë në fshatin e saj të lindjes, Ocheretyne, në Ukrainën lindore, ajo dhe familja e saj vendosën se ishte koha për të lëvizur.

Megjithatë, nën presionin e bombardimeve, Lidiia shpejt u nda nga të afërmit e saj, kështu që filloi të ecte drejt perëndimit me pantofla për 10 kilometra, raporton “BBC”.

“Unë mora një shkop dhe një dërrasë druri [për mbështetje] dhe u nisa. Këmbët më mbanin disi, nuk po i mbaja“, u shpreh ajo.

Fshati që ajo la pas po kthehet gradualisht në një peizazh ferri duke iu afruar trupave ruse. Sa më shumë afrohen, aq më i fortë bëhet zjarri i artilerisë. Blloqe të tëra apartamentesh dhe shtëpi po kthehen ngadalë në rrënoja dhe pluhur.

“Ndërsa nisa të ecja, më duhej të shtrihesha disa herë. Dikur humba ekuilibrin dhe rashë në bar. Më zuri gjumi dhe më pas përsëri vazhdova të ecja”, tregoi e moshuara.

Ajo përfundimisht u dërgua në një strehë për pak pushim, përpara se të ribashkohej me mbesën e saj, Svitlana.

/Shqip.com