Lajme

Me largimin e punëtorëve të KEDS-it u shkel Ligji i Punës, Inspektorati urdhëron kthimin e tyre – vendimi s’u zbatua

Punëtorët protestojnë para KEDS-it pas largimit nga puna

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në vitin 2016 kishte larguar nga puna 93 punëtorë, vendim ky i cili sipas Inspektoratit të Punës është shkelje e Ligjit të Punës.

Kësisoj kishte urdhëruar kthimin e tyre. Megjithatë, një vendim i tillë nuk ishte zbatuar asnjëherë.

Prandaj Inspektorati kishte shqiptuar disa gjoba, duke shterur çdo mundësi ligjore për zbatimin e vendimit.

“Gjithsej kemi 13 gjoba të shqiptuara brenda KEDS-it, gjoba të realizuara për shkak të parregullsive që ka pasur ndaj punëtorëve. Mund të ketë edhe më shumë, por këto janë të fakturuara”, ka thënë Agim Millaku, zëvendëskryeinspektor në Inspektoratin e Punës, në hulumtimin e publikuar nga Shqip.com, në episodin e fundit të emisionit investigativ “N’Shënjestër”.

Pas shumë protestave, punëtorët u detyruan t’i drejtoheshin gjykatave.

Avokati i tyre ankohet së lëndët po zvarriten nga shkalla e parë në të dytën dhe anasjelltas, ani se vendimet janë në favor të tyre.

“Sa i përket këtyre punonjësve, gjykatat në nivel vendi pothuajse kanë marrë vendime në favor të tyre, por lëndët janë duke u vonuar pasi që KEDS-i i shfrytëzon gjithnjë mjetet juridikët dhe jemi në këto rrethana të pritjes. Po presim që Gjykata e Apelit t’i vërtetojë aktgjykimet e gjykatave themelore”, ka deklaruar Nasuf Hasani, avokat i punëtorëve të KEDS-it.

Në anën tjetër, nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve të KEDS-it, thotë se deri tani kompania nuk ka kthyer në punë asnjë punëtor.

“Asnjë prej tyre nuk janë duke punuar edhe pse vendimet e gjykatave janë në favor të tyre. Mbi 80 punëtorë që janë larguar nuk janë kthyer në vendin e punës. Lëndët e tyre janë ende në gjykata”, është shprehur Fehmi Pajziti nga Sindikata e Punëtorëve të KEDS-it.

Por, në rastet kur kompanitë si KEDS nuk zbatojnë vendimet e gjyqësorit, prokurorët janë të detyruar me ligj të iniciojnë procedurë penale ndaj udhëheqësve të kompanisë.

Bazuar në këtë, ish-Kryeprokurori në Prokurorinë e Apelit, Haxhi Dërguti, i cili mban rekordin e familjarëve të punësuar në KEDS, dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, po ashtu pjesë e listës së pushtetarëve që kanë rehatuar familjarët e tyre në këtë kompani, kanë mohuar se mund të ketë shtrirë ndikimin e tyre mbi prokurorët e themelores.

“Jo more çfarë, nuk kam lidhje me atë punë absolutisht. Nuk kemi kompetenca. Ne vendosim vetëm në bazë të ankesave”, është shprehur Dërguti.

Ndërsa, Kurmehaj i pyetur se a ka pasur ndonjë rast që Gjykata Themelore në Pejë ka marrë vendim të formës së prerë e që nuk e ka zbatuar KEDS-i dhe prokurorët kanë iniciuar procedurë penale, është përgjigjur se “sa e di unë jo”.

Në mungesë të zbatimit të vendimeve, punëtorët i janë drejtuar edhe organizatave që ofrojnë ndihmë juridike falas.

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thonë se nuk kanë gjetur asnjë rast që prokurorët kanë nisur procedurë penale ndaj drejtorëve të KEDS.

“Në media kemi çdo ditë kemi njoftime për moszbatim të vendimeve të gjykatave nga ana e personit juridik – punëdhënësit dhe nuk kemi asnjë veprim të prokurorëve në këtë drejtim për ti mbrojtur të drejtat e punëtorëve”, thotë Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Kështu që në këto raste, sipas Zekajt, mund të ketë edhe ndikim të drejtpërdrejt.

Dokumentarin e plotë e gjeni këtu: