Lajme

“Me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, nuk na duhet as njohja nga Serbia”

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca

“Me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, nuk na duhet as njohja nga Serbia”.

Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, teksa shprehu qëndrimin e tij kundër themelimit të Asociacionit, përcjell Shqip.com.

Sipas tij, shefi i Diplomacisë së Bashkimit, Josep Borrell, në takimin e fundit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka bërë presion që të formohet ky Asociacion.

“Jemi në një pozitë kur shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në konferencë me kryeministrin tonë, Albin Kurti, fjalën e parë e thotë si në formë të presionit që ne as nuk mund të ecim tutje pa e zbatuar ju [Kosova] Zajednicën.

Qasja e Serbisë për Asociacionin është që për ato që kemi nënshkruar ne jemi në borxh dhe për të mbërritur në zero dhe sipas tyre për të qenë partnerë kredibil ne duhet me bë Zajednicën dhe ata thonë bile me kompetenca ekzekutive e pastaj kalojmë dhe i hapim temat a është e mundur një marrëveshje për njohje a jo. Me të [Asociacionin] nuk na duhet as njohja”, deklaroi ai në Klan Kosova.

Tutje, kryeparlamentari deklaroi se askush nga Bashkimi Evropian, por as kryediplomati i saj, nuk duhet të bëjë presion mbi Kosovën lidhur me çështjen e Asociacionit.

“Serbia atë marrëveshje e konsideron si marrëveshje dakordësie që e ka bërë kinse prej Kushtetutës së vet me një provincë të vetën sipas mendimit të tyre. Kjo problematikë nuk e ka kornizën e qartë të marrëveshjes ndërkombëtare dhe kurrkush se ka të drejtën me na bo presion nga Bashkimi Evropian dhe as Borrelli që e bën këtë presion që Kosova po bën gabim që s’po e respekton këtë marrëveshje”, shtoi ai./SHQIP.com