Kulturë

Më 16 nëntor hapet Panairi i Librit në Tiranë

Panairi i Librit 2022, hapet më 16 nëntor, në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë. Në këtë panair do të jenë gjithsej 97 stenda, në këtë edicion të 25-të të panairit dhe më shumë se 100 shtëpi botuese.

Një hapësirë e veçantë u është rezervuar edhe trevave shqipfolëse. Kosova vjen e përfaqësuar me tre stenda kryesore: me stendën e Institutit Albanologjik të Kosovës, me Shoqatën e Botuesve të Kosovës si stendë më vete dhe me Dukagjinin. Secila ka marrëveshje me shtëpi të ndryshme botuese në Kosovë.

Maqedonia e Veriut ka një stendë më vete. Logos është shtëpi botuese e Shkupit, por sjell edhe botimet shqipe nga Tetova. Mali i zi përfaqësohet me një stendë tjetër që është ajo e Podgoricës, por vijnë edhe pak tituj të botuar në Tuz. Tuzi pritet të jetë i pranishëm me autobusë lexuesish që vijnë në mënyrë të organizuar dhe do kenë edhe takime për librin shqip, thuhet në njoftimin nga organizatorët e Panairit të Librit.

Në panair do të ketë edhe një shtëpi botuese italiane. Ajo është “Besa Muci”, e cila kryesisht ka në fokus botimin e letërsisë shqipe në italisht.

Të tjerë botues të huaj që do të jenë pjesë e edicionit të 25-të të Panairit të Librit, do të jenë Regione Puglia dhe Junus Emre, me botimet e tyre.

/Shqip.com