McAllister përgëzon Serbinë për referendumin: Hap i madh drejt integrimit në BE

David McAllister, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ka përgëzuar vendimin për përkrahje të ndryshimeve kushtetuese në Serbi, transmeton Shqip.com.
Përmes një postimi në Twitter, McAllister e konsideroi këtë si një hap të madh drejt integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.
“E mirëpres vendimin e qytetarëve serbë për t’i përkrahur ndryshimet kushtetuese që e përforcojnë pavarësinë e Gjyqësorit. Një hap i rëndësishëm përpara në rrugën e këtij shteti drejt integrimit në BE”, shkroi ndër tjerash ai.
Tutje, ai shtoi se do të vazhdojnë të monitorojnë implementimin e zbatimit të agjendës së reformave.
I welcome the decision of #Serbian citizens to support constitutional amendments reinforcing the independence of the judiciary. An important step forward on the country’s path to EU integration. @EP_ForeignAff will continue monitoring the implementation of the reform agenda.
— davidmcallister (@davidmcallister) January 17, 2022
Ndryshe, të dielën në Serbi është mbajtur një referendum për disa ndryshime në sistemin gjyqësor të vendit.
Fillimisht, referendumi ishte paralajmëruar që të mbahej edhe në Kosovë, në mënyrë që serbët me dy nënshtetësi të mund të votonin.
Por, edhe pse kërkesa e shteteve të QUINT-it ishte pro mbajtjes së referendumit në Kosovë, Kuvendi miratoi një rezolutë me 76 vota pro e një abstenim, e cila ndalonte mbajtjen e një referendumi të tillë.
Kështu, serbët nga Kosova u detyruan që të udhëtojnë nëpër qytete të ndryshme të Serbisë në mënyrë që të kenë mundësinë e votës në këtë referendum.
Ndërkaq, gjatë kësaj dite, Njësitet Speciale të Kosovës ishin pozicionuar në disa komuna me shumicë serbe në rast të eskalimit të situatës, por që nuk është shënuar ndonjë incident./SHQIP.com