Lajme Opozita kërkon shkarkimin e Rakiqit

Kusari-Lila për Shqip.com: Reciprociteti që e kërkoi Rakiq s’ka kurrfarë kuptimi – për shkarkimin e tij pyeteni Kurtin

“Reciprociteti si koncept zhvillohet vetëm mes dy shteteve dhe jo ndërmjet etnive brenda një shteti. Është e pakuptimtë që në Kosovë, brenda territorit të vet të ketë reciprocitet midis etnive ose grupeve politike”.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe njëherësh ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës ka “kërcënuar” Qeverinë me masa të reciprocitetit në rast se nuk do të lejohet mbajtja e zgjedhjeve serbe më 3 prill më territorin e Kosovës.

Sipas tij, reciprociteti do të zbatohet vetëm në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, duke shtuar se më pas do të vendoset edhe në komunat tjera.

Lexo edhe:
Dy tema urgjente, por takimi i radhës Kurti-Vuçiç s’po bëhet – Stano thotë se u takon palëve ta caktojnë agjendën

Reciprociteti i paralajmëruar nga Goran Rakiq, udhëheqës i Listës Serbe, për Qeverinë e Kosovës, nëse njëjtë si Referendumi, nuk lejohet as mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, është krejtësisht i pakuptimtë, sipas Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Në një deklaratë për Shqip.com ajo thotë se reciprociteti është e pamundur dhe e pakuptimtë që të ndodhë ndërmjet etnive.

“Reciprociteti si koncept zhvillohet vetëm mes dy shteteve dhe jo ndërmjet etnive brenda një shteti. Është e pakuptimtë që në Kosovë, brenda territorit të vet të ketë reciprocitet midis etnive ose grupeve politike”.

E pyetur nëse Qeveria parasheh të marrë ndonjë masë ndaj Rakiq, i cili është edhe ministër aktual për Komunitete dhe Kthim i kësaj, Kusari-Lila s’ka koment.

“Për këtë duhet të jap përgjigje vetë kryeministri, Albin Kurti”.

Opozita kërkon shkarkimin e Rakiq-it

Ndryshe nga Kusari-Lila që s’komenton dot, nga Opozita përtejë se komente, kanë edhe kërkesa për shkarkimin e ministrit serb.

Shefi i GP të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha shkurtimisht se Rakiq duhet të lirohet nga detyra e ministrit.

“Një ministër i tillë duhet të shkarkohet dhe një i tillë nuk duhet ta ketë vendin në Qeveri”, tha Tahiri.

Për deputetin nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, është shqetësues fakti që Rakiq ende është pjesë e Qeverisë së Kosovës pasi sipas tij, ky minisër është i deleguar i Serbisë.

Deputeti i AAK-së.

“Këto deklarata janë në vazhdën e provokimeve të Serbisë dhe të deleguarve të tyre në Kosovë. Se çka ka menduar dhe çka mendon Rakiq është e ditur tashmë, por shqetësuese është se ai është anëtar i qeverisë Kurti dhe në këtë aspekt këto deklarata duhet të dënohen maksimalisht nga kryeministri Kurti”, ka thënë Lekaj për Shqip.com.

Nënkryetari i AAK-së, ia ka bërë të qartë ministrit Rakiq se zgjedhjet e 3 prillit “duhet ta harrojë që do t’i zhvillojë në territorin e Kosovës duke tentuar të shkel mbi sovranitetin e shtetit tonë”, deklaroi Lekaj.

Ndërkaq, të heshtur janë treguar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shqip.com ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga kjo parti, por të njëjtit kanë refuzuar të komentojnë rreth këtij zhvillimi.

Kryeministri, Albin Kurti në mars të 2020-ës kishte shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme të asaj kohe, Agim Veliun.

Kryeministri Albin Kurti, Agim Veliu dhe Goran Rakiq.

Shkarkimi kishte ardhur si pasojë e një deklarate të Veliut ku shfaqte kundërshtim me qëndrimin e Qeverisë mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë COVID-19.

Si shkak i kësaj, LDK kishte inicuar mocion për rrëzimin e Qeverisë Kurti l.

Me 82 vota për, 32 kundër dhe një abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës më 25 mars votuan pro mocionit të mosbesimit të qeverisë, duke e shkarkuar kështu qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti./SHQIP.com