Lajme

Mbyllja e çerdheve sfidë për prindërit e angazhuar në sektorin privat

Mbyllja e kopshteve si pasojë e masave anti-COVID

Mbyllja e çerdheve e cila erdhi pas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e tyre dhe shkollave në vend si masë për parandalimin e përhapjes së COVID-19, po konsiderohet sfidë për prindërit e angazhuar në sektorin privat, transmeton Shqip.com.

Ky vendim i ekzekutivit bëri që shumë parti politike, nëna e gra e madje edhe shoqëri civile të reagojnë.

Dorina Lluka-Davies, eksperte për zhvillimin e rinisë tha se ky vendim ka qenë i shpejtë dhe që ka atakuar më së shumti nënat, duke pasur parasysh që shumë nga to punojnë nëpër institucione private.

“Vendimi i mbylljes së çerdheve ka qenë një vendim i shpejtë dhe drejtpërdrejtë ka atakuar më së shumti nënat, duke pasur parasysh që në institucione ose çerdhe private punojnë gra dhe kush garanton që ato institucione kanë me i paguar ato nëna të cilat janë dalë prej punës”, tha Lluka Davies për EO.

“Në anën tjetër jo të gjithë punojnë në institucione publike, dhe kërkesa që një prind me qëndrua në shtëpi nuk qëndron pasi kjo është vetëm sa me rregulluar diçka por jo për sektorin privat”, shtoi ajo.

Si shumë problematike dhe vendime të pamenduara mirë nga ana e Qeverisë po e sheh deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyçi, e cila tha se mbyllja e çerdheve do të rëndojë ekonominë e shumë prindërve dhe familjeve në përgjithësi.

“Shumë prindërve do u vështirësohet dhe pamundësohet funksionimi normal dhe gjithashtu edhe ekonomia. Nuk e di nëse dy prindër punojnë në sektorë private dhe në dy subjekte të ndryshme, atëherë si do të vendoset se cili prindër do të lirohet nga puna, dhe nuk e di se si e kanë menduar këtë pjesë”, u shpreh ajo.

“Kjo qeverisje sheh vetëm bardhë e zi qysh nga fillimi jo vetëm për pandeminë por gati në  gjithçka. Vendimet për mbylljen e çerdheve janë vendime të pa analizuara, se janë masa më lehtë të zbatueshme, këto vendime janë të gabuara dhe nuk ofrojnë zgjidhje. Duke e ditur që në çerdhe ka raste të vogla të infektimeve, por është dashur që edhe prindërit më herët të paralajmërohen dhe të vaksinohen dhe të mos bëhet një mbyllje e tyre”.

E si shqetësim po e sheh edhe Armend Ahmeti, kryetar i forumit rinor në Komitetin Lokal për Siguri Publike, i cili tha se mbyllja e çerdheve është problem i madh sidomos për prindërit që nuk janë të punësuar në institucione shtetërore por në  sektorin privat.

“Është problem sepse sektori i kategorisë së punësimit në institucione shtetërore do të zbatohet ndoshta 100% por nuk mundesh me sigurua që një nënë që punon me një sektor privat që mundet një kompani e caktuar me ia ofrua komoditetin që me shku për dy javë rresht në shtëpi”.

“Jemi dëshmitarë të gjithë se shumica prej tyre në kohën e pandemisë veçse kanë filluar me i largu prej punës e leje më që kur flitet për dy javë rresht mbyllje, nëse i largon 50 nëna prej pune atëherë 50 fëmijë kanë me qenë në përkujdesje të tyre, por ekonomia e asaj familje vetëm sa do të rëndohet”, tha Ahmeti. /Shqip.com