Lajme

Mbyllen zyrat e strukturave paralele në Dukagjin

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bashkë me ministrin Elbert Krasniqi sot kanë vëzhguar një aksion të Policisë së Kosovë në mbylljen e komunës ilegale të Pejës në Gorazhdec, atë të Istogut në Osojan dhe të Klinës në Videjë.

Sveçla ka thënë se koha e paligjshmërisë ka përfunduar dhe institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë.

Njoftimi i plotë:

 Pas një koordinimi të ngushtë mes Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, me urdhër të Prokurorisë, Policia sot ka zhvilluar një aksion në mbylljen e strukturave paralele të Serbisë që kanë operuar brenda Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, në Gorazhdec është mbyllur komuna ilegale e Pejës, në Osojan komuna paralele e Istogut dhe në Videjë komuna paralele e Klinës.

Mbesim të përkushtuar në fuqizim institucioneve të Republikës së Kosovës, në respektim të plotë të Kushtetutës sonë dhe unitaritetit të saj.

Koha e paligjshmërisë ka përfunduar dhe institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë.

/Shqip.com