Lajme

Mbrojtja e të akuzuarve për vrasjen e Ivanoviqit kërkojnë të ndërpritet paraburgimi

Mbrojtja e Silvana Arsoviq, Jovana Filipoviq

Ka përfunduar seanca për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ndërsa avokatët mbrojtës të të akuzuarve kërkojnë që gjykata ta ndërpresë masën e paraburgimit, njofton Shqip.com.

Avokati i Rade Basar, Tomë Gashi, thotë se klinti i tij nuk ishte i përfshirë në këtë rast, ndërsa Musa Damati, avokat i Silvana Arsoviq, thotë se në fund të procesit do të konfirmohet se klientja e tij është përfshirë në mënyrë aksidentale.

“Ai ka qenë hetues i Policisë së Kosovës dhe asnjë informatë nuk ju ka dhënë shërbimeve serbe, kjo çështje është e rëndësishme që të vërtetohet që stafi i Policisë së Kosovës nuk ka qenë i përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit”, thotë Gashi.

Nga ana tjetër Damati shton se disa personalitete të politikës serbe po tentojnë ta njollosin angazhimin e tij. Në konferencën për media pas seancës të së martës, Damati i ka demantuar ata.

“Këto ditë, disa nga figurat e larta të politikës serbe përmes deklaratave të tyre kanë tentuar që ta politizojnë përfshirjen dhe angazhimin tim si avokat në këtë çështje penale. Unë i demantoj ato, nuk janë të vërteta dhe deklaratat e tilla mund të intepretohen si ndërhyrje në drejtësi. Në fund të këtij procesi ligjor do të konfirmohet se klientja ime është përfshirë në mënyrë aksidentale në aktakuzën e prokurorisë speciale”, tha ai.

Edhe avokatja Jovana Filipoviq, gjatë adresimit të saj për media thotë se klientja e saj, Silvana Arsoviq, ka kërkuar që të ofrohen dëshmitë se Silvana ka gisht në këtë rast, bazuar edhe në faktin që mund të përdoret telefoni i saj mobil për të parë nëse ka pasur kontakt me këdo nga personat e akuzuar.

Filipoviq shprehet e bindur se do të vërtetohet pafajësia e Arsoviq.

“Ne avokatët e mbrojtjes, si dhe prokurori i dhamë fjalët tona hyrëse. Nuk dua të komentoj për kolegët e tjerë, por sa i përket klientes sonë Silvana, risia është se prokurori theksoi se është fjala për fikjen e kamerave që i ka bërë një shërbim sekret, e që gjoja klientja ime i ka ndezur, për çka nuk është dhënë asnjë dëshmi. Mbrojtja ka kërkuar që ato dëshmi të sigurohen pasi barra e provës bie mbi prokurorinë dhe jo mbi mbrojtjen. Kërkuam që ato të dëshmi të ofrohen, pasi telefoni i klientes sime është në shkresat e lëndës dhe kërkuam ekspertizë shtesë të kontakteve të saj të telefonit, qoftë në komunikimet përmes rrjeteve sociale qoftë përmes numrit të saj privat, në mënyrë që të vërtetohet nëse ka qenë në kontakt me këdo nga personat e akuzuar apo që përmenden në aktakuzë. Duke pasur parasysh se ajo nuk ka pasur asnjë kontakt me ata persona, jemi të sigurt se do të vërtetohet pafajësia e saj”, ka thënë ajo. /Shqip.com