Lajme

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon nga prokuroria dorëzimin e materialeve shfajësuese

Ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Hagë, avokatët kanë kritikuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar për vonesa në dorëzimin e materialeve shfajësuese.

Mbrojtja ka kërkuar që prokuroria t’u vë në dispozicion menjëherë dokumentet të cilat lidhen me materialet shfajësuese.

Siç raporton Betimi për Drejtësi, prokurori Mathew Howling ka deklaruar se kanë bërë një kërkesë siç e kanë përmendur në parashtrimet e tyre dhe mbulon 28 materiale që janë sipas rregullës 103 e disa sipas rregullës 102.

Në anën tjetër, avokati Gregory Kehoe që mbron Thaçin tha se po mbahen në errësirë lidhur me këto dokumente dhe ka pasur çështje që lidhen me materialet e rregullës 103, ku janë 28 prej tyre që i janë nxjerrë gjykatësit e në fakt janë materiale shfajësuese.

Ai tha se të akuzuarit po mbahen në paraburgim qe një kohë të gjatë dhe është përsëri elementi i kohës që po përsëritet i vonesës dhe kjo nuk u ndihmon të çojnë përpara çështjen dhe nuk ndihmon asnjë palë në këtë proces.

Ben Emmerson, avokati i Veselit, deklaroi se kanë përpara afatin e dorëzimit të dosjeve paraprake dhe kanë ndërmend të mbetet afat i pandryshuar.

“Është pika që ndikon në zhvillimin e mëtejshëm të procedurave, nuk duam të kërkohet zgjatje e afatit sepse prokuroria nuk ka përmbushur detyrimet e veta të nxjerrjes së materialeve. Ajo që është problem akut lidhur me materialet e rregullës 107 është padyshim se aty janë përfshirë materiale të rregullës 103, por aty mund të jenë përfshirë edhe përzierje materialesh apo të ndryshme që mund të jenë të rëndësisë së konsiderueshme për trupin gjykues që do të caktohet në këtë çështje”, tha ai tutje.

Ai tha se kolektivisht kanë bërë parashtrim për nevojën e identifikimit se cilat prova janë nga burime të korruptuara dhe dyshimta dhe që lidhen me Serbinë.

Ish-krerët e UÇK-së në Hagë

“Ky është qëndrimi jonë sa i përket palëve në konflikt, por këto materiale janë të rëndësishme pasi janë nga palë që nuk kanë qenë drejtpërdrejt të përfshira në konflikt. Siç e kemi parashtruar me shkrim, sasia e materialeve për të cilat ende nuk është marrë autorizim dhe ende nuk janë lëshuar është diku rreth 400 dokumente. E kemi të qartë çfarë ndikimi ky lloj dokumentacion mund të ketë, dokumentacion që është nga burime qeveritare apo ndërqeveritare dhe mund t’i jap një farë forme çështjes”, tha ai tutje.

Sipas tij, materiale kyçe ende nuk i janë nxjerrë mbrojtjes.

“Nëse dorëzohen dosjet në fillim të tetorit, mbrojtja do të jetë e dëmtuar nga vet fakti që prokuroria nuk do të mund t’i përmbush detyrimet e nxjerrjes. Nuk mund të ndodhemi në një situatë kur mbrojtja duhet të bëj kërkesa për dorëzimin e një dosje paraprake të ndryshuar në dritën e materialet që do të ipet me vonesë nga prokuroria. Kërkoj që këtë afat aktual ta ndryshoni në një afat për dorëzimin e dosjes paraprake provizore, pra me një formulim të tillë”, tha ai.

Po në këtë konferencë, gjykatësi Nicolas Guillou i ka thënë prokurorisë se mbrojtja duhet të marrë atë që ka të drejtë për të marrë, dhe se duhet të marrë materialin shfajësues.

Kurse, avokati i Kadri Veselit, Aydan Ellis tha se nëse kontrollimet dhe dokumentet lidhen me prova shfajësuese, ato duhet tu jepen në dispozicion menjëherë.

Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020, ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte./Shqip.com