Lajme

Mbrohet në heshtje Dardan Krivaqa, i akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Dardan Krivaqa i akuzuar për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, në seancën e së enjtes, shfrytëzoi të drejtën të mbrohet në heshtje.

Ndërsa, i akuzuari tjetër Arbër Sejdiu, do të japë mbrojtjen, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Nuk jam në gjendje me dhënë mbrojtjen, do të shfrytëzoj të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje”, tha Krivaqa.

Ai shtoi se nuk është në gjendje të sqarojë atë që ka ndodhur.

Ndrysh, në seancën e 24 janarit 2023, gjyqtari i çështjes Sahit Krasniqi, ka aprovuar propozimin e avokatit mbrojtës, Admir Salihu, që të bëhej një ekzaminim psikiatrik ndaj Dardan Krivaqës. Ndërsa, në raportin e ekzaminimit psikiatrik të Institutit të Forenzikës, të cilin e ka pranuar gjykata në fjalë, është konstatuar se i akuzuari për vrasjen e 18-vjeçares, nuk ka ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore të karakterit psikotik.

Gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi më 2 shtator 2022,  ka marrë aktvendim në bazë të së cilit i ka refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave, të parashtruara nga mbrojtja e të akuzuarve, ndërsa të akuzuarve Krivaqa dhe Sejdiu, iu konfirmua aktakuza.

/Shqip.com