Lajme

Mblidhet kryesia e Kuvendit, seancat e reja plenare me 6 dhe 7 korrik

Kuvendi i Kosovës, do të mblidhet të mërkurën dhe të enjten, përkatësisht me datat 6 dhe 7 korrik.

Siç ka njoftuar Kuvendi, në seancën e së mërkurës do të shqyrtohen pikat nga seanca e kaluar.

Kurse, në seancën e re të së enjtes, pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe projektligje të tjera.

“Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga kryetari Glauk Konjufca dhe me prezencë të kryetarëve të grupeve parlamentare, vendosi që Kuvendi të mblidhet në seancë plenare të mërkurën, më 6 korrik, për shqyrtimin e pikave të papërfunduara në seancat e kaluara. Ndërkaq, të enjten, më 7 korrik, në orën 10:00, do të mbahet seancë e re”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Gjatë ditës së enjte, Kuvendi do ta përmbyll seancën me debat parlamentar në lidhje me mos liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian për Kosovën.

Po ashtu, në këtë mbledhje është miratuar rekomandimi i Komisionit për Buxhet , Punë dhe Transfere për kërkesat buxhetore të Kuvendit të Kosovës për vitin 2023./Shqip.com