Lajme

Pozitë-opozitë me qëndrime të kundërta për Kodin Civil

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione ka pritur në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

Në këtë takim temë e diskutimi ka qenë edhe Kodi Civil i cili nuk është votuar në Kuvendin e Kosovës.

Në takim me ambasadorin britanik, deputetët e Kuvendit shprehen mendimin e tyre lidhur me këtë çështje.

Ambasadori britanik,  Nicholas Abbott, kërkoi mendim nga anëtarët e Komisionit në lidhje me Kodin Civil.

“Është kënaqësi dhe jam i interesuar që të dëgjoj ato që doni të arrini. Të gjithë presim stabilitet në Kuvend dhe Qeveri. Unë e pres prioritetin për dhunën në familje dhe siç kemi parë në kohën e pandemisë kemi parë shumë dhunë ndaj grave dhe vajzave. Jam interesuar se çka mund të bëjmë ne dhe çfarë përkrahje ju nevojitet juve. Dhe gjithashtu për Kodin Civil se çka mendoni ju”, u shpreh Abbott.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha u shpreh se ky ligj duhet të kalojë për shkak të rëndësisë që ka.

“Unë mendoj personalisht se është dokument që duhet të kalojë dhe duhet ta bëjmë për shkak të komunitetit civil dhe komunitetit ndërkombëtar. Në tërësi është shumë i rëndësishëm që i rregullon çështjet në përgjithësi dhe nuk duhet të shikohet vetëm në një nen”, u shpreh Hoxha.

Por kundër Kodit Civil janë shprehur kryetarja e këtij komisioni, Duda Balje dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi-Murtezi.

“Si Komision dhe e di që jemi adresa e parë sepse mbrojmë të drejtat e njeriut, por duhet të kuptoni se jemi shtet i vogël shkaku i traditës sonë dhe mendoj se nuk jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Unë si kryetare isha kundër dhe ende e kam këtë mendim” u shpreh deputeja Balje.

Ndërsa deputetja Murtezi thotë se personalisht është kundër gjuhës së urrejtjes ndaj çdo personi që ka bindjet e saja seksuale.

“Nëse Kuvendi ndalon ose specifikon dënimin e personave që ofendojnë persona të tillë, do të isha e para që do të votoja” u shpreh ajo.

Për Kodin Civil, 29 deputetë të Kuvendit të Kosovës kishin votuar kundër.

Projektkodi Civil e definon martesën ndërmjet personave me gjini të ndryshme, si dhe në veçanti për Nenin 1138, paragrafi 2, i cili parasheh “bashkësitë e regjistruara civile me seks të njëjtë”.

Në Projektkodin Civil thuhet se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.

Në Kushtetutën e Kosovës thuhet “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Në Projektkodin Civil nuk definohet se çfarë është “bashkësi civile”. Por, megjithatë, aty shkruan se “të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”.

Në vende perëndimore, bashkësitë civile nuk konsiderohen si martesa, por si marrëdhënie e ligjshme ndërmjet dy personave, që siguron mbrojtje ligjore për çiftin, vetëm në nivel shtetëror.

/Shqip.com