Lajme

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë: Institucionet e Kosovës të bashkuara që t’i përgjigjen çdo situate

Objekti i Qeverisë së Kosovës

Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Sigurisë, ku është diskutuar gjendja aktuale dhe bashkërendimi i aktiviteteve ndërinstitucionale lidhur me zbatimin e reciprocitetit për letërnjoftime me Serbinë dhe fillimin e regjistrimit me targa RKS për automjetet me targa të lëshuara nga Serbia.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga ana e zyrës së kryeministrit.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, ka mbajtur takimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, për të diskutuar rreth gjendjes së sigurisë në vend dhe për t’i bashkërenduar aktivitetet ndër-institucionale në funksion të zbatimit të ligjshmërisë dhe të sundimit të ligjit në tërë Republikën e Kosovës”, thuhet fillimisht në njoftim.

Sipas njoftimit është bërë e ditur se Institucionet kanë zhvilluar tashmë të gjitha procedurat teknike dhe administrative për zbatimin e këtyre vendimeve.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës është në funksion të sigurisë, vendosjes së rendit publik dhe ligjshmërisë e sundimit të ligjit. Prandaj institucionet e Republikës së Kosovës qëndrojnë të përkushtuara e të bashkuara që t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, çdoherë në bashkërendim dhe bashkëpunim të ngushtë edhe me partnerët tanë strategjik”, thuhet më tutje në njoftim.

Kjo mbledhje është mbajtur një ditë para se të hyjë në fuqi së zbatuari vendimi i Qeverisë së Kosovës, ku banorët e veriut duhet që tabelat e makinave të tyre nga “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, apo “ĐA”, t’i rikthejnë ato në RKS.

Ministria e Punëve të Brendshme u ka bërë thirrje qytetarëve serb që të zëvendësojnë targat në RKS (Republika e Kosovës).

“Nga data 1 gusht 2022 deri më 30 shtator 2022, do të fillojë organizimi i procesit për regjistrimin e targave ilegale në ato RKS, në të gjitha Qendrat për Regjistrimin e Automjeteve”, thuhet në njoftimin e 23 korrikut të kësaj ministrie.

Sipas MPB-së, brenda këtij afati, qytetarët do të kenë mundësinë që të jenë përfitues të shumë lehtësirave për kthimin e mjeteve të tyre në targa RKS.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se Qeveria e drejtuar prej tij nuk ka qenë asnjëherë për të vendosur dokumente të përkohshme për qytetarët serbë që hynë në territorin Kosovar.

Në një konferencë për media, Kurti tha se kjo është për shkak të reciprocitetit

“Ne nuk do të kishim preferuar dokumentet e tilla. Mirëpo, nëse qytetari i jonë e merr një dokument të tillë, duhet ta merr edhe një qytetar serb. Siç nuk kemi qenë për targat e përkohshme, mirëpo përderisa ka një të tillë për qytetarin tonë kur hynë në Serbi, ka nevojë që të ketë edhe për qytetarin serb që hynë në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Nga 1 gushti qytetarët e Serbisë që hynë në Kosovë do të pajisjen me një dokument për hyrje-dalje në të gjitha pikat kufitare, një masë të ngjashme të cilën tash e sa vjet e aplikon Serbia ndaj qytetarëve të Kosovës./Shqip.com