Ekonomi

Mbi një mijë punëkërkues të regjistruar deri më tani në ‘superpuna’

Ka kaluar një javë nga lansimi i platformës së punësimit ‘Superpuna’ dhe deri më tani janë regjistruar më shumë se një mijë punëkërkues.

Kjo është bërë e ditur nga ministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe transferove, Hekuran Murati.

“Që në javën e parë pas lansimit, kemi mbi 1 mijë punëkërkues të regjistruar dhe verifikuar në platformën Superpuna”, shkroi Murati.

Murati tha se të gjithë të rinjtë të moshës 18-25 vjet e që janë në kërkim të punës, kanë mundësi të regjistrohen dhe të gjejnë punën e tyre.

“Të gjithë të rinjtë e moshës 18-25 vjeç që janë në kërkim të një vendi pune, kanë mundësinë të regjistrohen dhe të gjejnë një vend pune me pagë të garantuar nga shteti”.

Kujtojmë se Murati ka thënë se nëpërmjet kësaj platforme, Qeveria e Kosovës garanton punën e parë për të rinjtë prej moshës 18 deri në 25 vjet që të punësohen.

Në konferencën për lansimin e këtij projekti, Murati tha se pilotimi i platformës do të jetë një mbështetje prej gjashtë muajsh për secilin të ri me pagë minimale prej 264 euro.

“Sot prezantojmë para jush platformën ‘superpuna’, e cila mundëson përmbushjen edhe të një premtimi të Qeverisë, atë të punësimit të garantuar për të rinjtë. Secili i ri prej moshës 18-25 do të ketë të garantuar punën e parë të tij nga Qeveria e Kosovës. Pilotimi i platformës do të jetë më mbështetje prej gjashtë muajsh për secili të ri me pagën minimale prej 264 euro”, tha Murati.

Ministri i Financave theksoi se përveç pagës së siguruar nga Qeveria, bizneset kanë mundësi që të shtojnë më shumë para për pagën.

“Mundësia është që punëdhënësi të shtojë mbi këtë shumë sepse kjo shumë është mbështetje nga Qeveria. Shumë punëdhënës janë të interesuar të shtojnë dhe të dyfishojnë këtë shumë. Synimi ynë do të jetë që përmes kësaj platforme të automatizuar, qysh në vitin e parë të kemi mbështetjen e dhjetë mijë vendeve të punës për moshat e reja nga 18 deri në 25 vjet”.

Kjo mbështetje e Qeverisë do të iu mundësojnë të rinjve që të fitojnë një kontratë pune afatgjatë apo të punësohen dikun tjetër me aftësitë e fituara gjatë kësaj periudhe.

/Shqip.com