Ekonomi

Mbi dy miliardë euro shkëmbimet tregtare Kosovë-BE vitin e kaluar

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka njoftuar së në vitin 2022 vlera e shkëmbimeve tregtare mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, arriti në shumën prej 2.7 miliardë eurosh.

Në një diskutim të mbajtur për 7-vjetorin e hyrjes në fuqi të MSA-së ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, u tha se kjo marrëveshje, në sektorin privat ka qenë pozitive, përderisa u përmenden edhe sfidat.

Aty u tha se MSA-ja vendos kornizën e marrëdhënieve të Kosovës me BE-në për zbatimin e Procesit të para anëtarësimit deri në anëtarësimin e plotë në BE. Për sa i përket fushëveprimit, përveç çështjeve politike dhe detyrimeve ligjore MSA mbulon të gjitha fushat e qeverisjes.

AnnaCarin Platon, shefe e Seksionit për Politika në Zyrën e BE-së në Kosovë, vlerësoi lartë votimin e Strategjisë për energji nga Kuvendi, teksa tha se po presin që ta shohin planin e zbatimit si dhe përgatitjet e strategjive e legjislacionit relevant nga ana e MINT-it.

Sipas saj, e rëndësishme është që të fuqizohen funksionimi i institucioneve, pastaj të punohet në mbrojtjen e konsumatorëve dhe në cilësinë e prodhimit ashtuqë ato të plotësojnë standardet e BE-së.

Nga ana tjetër, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës si marrëveshje e parë kontraktuale, me të drejtë konsiderohet si një ndër hapat më të rëndësishëm për Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian.

Përfaqësues të bizneseve ndërkaq folën për sfidat dhe mundësitë që u ofron marrëveshja, kurse nga Qeveria kërkuan azhurnim më të shpejtë të politikave tatimore dhe një trajtim më adekuat dhe efikas për investitorët e huaj, të interesuar që të zgjerojnë aktivitetet në Kosovë.

/Shqip.com