Ekonomi

Mbi 37 milionë euro ndahen për KEK-un dhe KOSTT-in nga Qeveria

Foto ilustruese - Paratë

Me kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 37 milionë euro për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Operatorin e Sistemit të Transmisionit të Tregut (KOSTT).

Kjo është bërë e ditur nga zyra e kryeministrit përmes një komunikatë për media ku thuhet se miratimi i kërkesës së Ministrisë së Ekonomisë ka ardhur për siguri të furnizimit me energji elektrike dhe mbrojtje të sistemit energjetik.

“Kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë për ndarje të mjeteve buxhetore për siguri të furnizimit me energji elektrike dhe mbrojtje të sistemit energjetik, në vlerë prej 37,500,000.00 € (tridhjetë e shtatë milionë e pesëqind mijë euro), nga të cilat 20,000,000.00 € (njëzet milionë euro) janë ndarë për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) me rastin e vendosjes së Obligimit të Shërbimit Publik nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe 17,500,000.00 €  (shtatëmbëdhjetë milionë e pesëqind mijë euro) janë ndarë për Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT)për pagesa të borxheve ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike. Mjetet sipas këtij Vendimi merren nga kursimet buxhetore”, thuhet në njoftimin e ZK-së.

Ky vendim ka vendosur edhe obligimet që rëndojnë mbi ndërmarrjen e KEK-ut.

 “Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), si ndërmarrje publike e energjisë, i është vendosur obligimi për shërbim publik për të ndihmuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe shmangien e devijimeve në sistemin energjetik të Kosovës, për periudhën 1 janar 2023 deri më 15 mars 2023 deri në 185 GWh, në rastet kur nuk plotësohen të gjitha kërkesat e furnizimit me energji elektrike. Sipas këtij obligimi, KEK obligohet të importojë mungesën e sasisë së energjisë elektrike atëherë kur kapacitetet vendore gjeneruese dhe importi i siguruar nga ndërmarrjet tjera të energjisë është i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjithë kërkesën e Kosovës për energji elektrike”.

Ngjashëm ka shkuar edhe procedura me atë të KOSTT-it për pagës atë borxheve ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike.

/Shqip.com