Ekonomi Biznes

Mbi 300 ankesa kundër operatorёve kabllorё pёr vetёm dy javё

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, gjegjësisht Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, ka pranuar 462 ankesa nga qytetarët, të cilët kanë raportuar parregullsitë të cilat i kanë hasur në treg.

Prej tyre, 347 ankesa janë ndaj disa operatorëve kabllorë, shërbimet e të cilave janë të rregulluara me kontratë mes palëve në Republikën e Kosovës.

“Angazhimi dhe përkushtimi maksimal i MINT për të qenë në krah me konsumatorët, ka bërë që këto ankesa të adresohen në kohë rekord tek institucionet relevante për trajtim të mëtejmë, derisa vet MINT do të sigurohet që secila ankesë të marrë përgjigjen zyrtare, në mënyrë që ky rast të marr epilogun e vet dhe qytetarëve, respektivisht konsumatorëve, t’u mbrohet e drejta e tyre e garantuar me ligj. Rritja e vazhdueshme e numrit të ankesave nga qytetarët në Departamentin e Mbrojtjes së Konsumatorit, e cila funksionon në kuadër të MINT, dëshmon njëherazi rritjen e besueshmërisë në institucione nga  qytetarët. Për këtë qëllim, MINT në vitin 2023 hartoi Ligjin e ri për Mbrojtjen e Konsumatorit, i cili u miratua nga Qeveria dhe i cili fuqizon edhe më tej mbështetjen institucionale për të drejtën e konsumatorit në treg”, thuhet nё njoftim.

Gjatë vitit 2023, Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit pranoi mbi 3000 ankesa, ku numri më i madh i ankesave ishte në kategorinë e tregtisë, ku përfshihen: mospërputhja e çmimit, moskthimi i mallit, riimbursimi i mjeteve, mashtrimi i konsumatorit, etj.

/Shqip.com