Ekonomi Biznes

Mbi 2 mijë e 600 biznese të mbyllura si pasojë e pandemisë në Kosovë

Biznes i mbyllur - Ilustrim

Një mijë e 330 biznese janë shuar vetëm gjatë vitit 2021 në Kosovë, si pasojë e goditjes nga pandemia COVID-19, transmeton Shqip.com.

Me këtë rast edhe rreth tre mijë e 300 punëtorë që ishin të punësuar në këto biznese kanë mbetur pa punë.

Gjatë vitit 2020 figurojnë të shuara 1,346 biznese.

Kështu tregojnë të dhënat e Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, raporton REL.

Për t’i përballuar pasojat e pandemisë, Qeveria e Kosovës ka miratuar Pakon e ringjalljes ekonomike, në vlerë prej 420 milionë eurosh.

Në kuadër të kësaj pakoje, bizneset janë ndihmuar kohë pas kohe.

Një nga bizneset që nuk arriti t’i bëjë ballë krizës së shkaktuar nga pandemia është bujtina “Hostel Han” – biznes ky në sektorin e akomodimit në Prishtinë.

Udhëheqësi i këtij biznesi për nëntë vjet me radhë, Arben Jonuzi, tha se është detyruar ta mbyllë biznesin në korrik të vitit 2020, ku kishte të punësuar katër persona.

Ilustrim

“Ka qenë shumë mirë. Iu kemi mundësuar turistëve që të udhëtojnë dhe të flenë me çmime të lira. Por, kur ka ndodhur pandemia, janë mbyllur kufijtë. Kishim edhe shtatë ose tetë mysafirë, të cilët u bllokuan në ‘Hostel Han’, e të cilët u larguan pas hapjes së kufijve”, tregon Arbeni.

Me shpërthimin e pandemisë, në mars të vitit 2020, shumica e shteteve i kanë mbyllur kufijtë me muaj të tërë, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Shumë fluturime janë anuluar dhe udhëtimet janë kufizuar në minimum.

Arbeni thotë se ndihma që jepte Qeveria e Kosovës për bizneset, ishte e pamjaftueshme.

“Asgjë… Ishte një ndihmë nga 150 euro për punëtorë që ndante Qeveria. Ishin pak. Nuk mjaftonte ndihma për të paguar shpenzimet që i kishim”, thotë Jonuzi, i cili aktualisht është i papunë dhe nuk mendon ta rihapë biznesin e tij. /Shqip.com