Lajme

Mbi 2 mijë ankesa ndaj policëve në IPK, kërkohen trajnime shtesë e pajisje me kamera trupi

Policia e Kosovës

Dy mijë e 13 ankesa janë paraqitur në Inspektoratin Policor të Kosovës gjatë vitit 2021 ndaj zyrtarëve policorë, numër që është në rritje në krahasim me vitin paraprak, 2020.

Kështu ka bërë të ditur IPK në një përgjigje për Shqip.com, duke treguar se gjatë këtij viti kanë ndërmarrë 34 arrestime dhe 84 rekomandime për suspendim të zyrtarëve policorë.

Inspektorati Policor i Kosovës.

“IPK gjatë vitit 2021 ka pranuar dhe ka menaxhuar me 2013 ankesa dhe informata që në krahasim me vitin e kaluar numri i ankesave ka një ngritje (vitin 2020  IPK ka trajtuar 1658 ankesa)”.

“Prej tyre 1327 ankesa që janë klasifikuar si shkelje disiplinore e profilit të ultë janë përcjellë për t’u trajtuar në Policinë e Kosovës, kurse 676 ankesa janë dërguar në Departamentin e Hetimeve në IPK (dhjetë prej tyre janë përcjellë në institucione tjera kompetente)”, thuhet në përgjigje.

Tutje, Agjencioni thotë se vazhdimisht kanë rekomanduar trajnimin e zyrtarëve policorë, me theks të veçantë në fushën e hetimeve të aksidenteve të trafikut dhe analizimin e tyre – por edhe për dhunën në familje.

“Sa i përket rekomandimeve për trajnime ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës në vazhdimësi në kuadër të inspektimeve të rregullta dhe të jashtëzakonshme jep edhe rekomandime për trajnimin e zyrtarëve policorë në fusha të ndryshme në ndërlidhje edhe me fushën e inspektuar”.

“Për shembull, gjatë vitit të kaluar janë dhënë rekomandime për trajnime në fushën e hetimeve të aksidenteve të trafikut dhe analizimin e tyre, pastaj rekomandime për programe të trajnimit në fushën e dhunës në familje (duke përfshirë edhe personelin policor të njësive patrulluese etj”, njofton tutje IPK.

Se pjesëtarët e PK-së kanë nevojë për trajnime shtesë e thotë edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Ai në një prononcim për mediumin thekson se krahas trajnimeve, institucionet shtetërore duhet që të garantojnë stabilitet dhe garanci në jetën e tyre private por edhe profesionale.

Drizan Shala, ekspert i sigurisë.

“Pjesëtarët e PK-së janë të nënvlerësuar sa i përket punës dhe pagës së tyre e cila ka ndërveprueshmëri në efikasitetin e punës policore. Pra, krahas veprimeve në ngritjen profesionale shteti duhet që të garantojë stabilitet, qëndrueshmëri dhe garancë në jetën e tyre private dhe profesionale”, tha Shala.

Pajisja e policëve me kamera të trupit

Inspektorati ka vlerësuar se pajisja me kamera të trupit e zyrtarëve policorë do të ndikonte pozitivisht në punën e tyre.

Në një përgjigje për Redaksinë, thuhet se në shumë situata regjistrimet e pamjeve nga kamerat trupore do të dëshmonin profesionalizmin apo dështimin e tyre në përdorimin e forcës së nevojshme.

“Bazuar në përvojat e policive të avancuara, pajisja e policëve me kamera ngritë seriozitetin dhe përkushtimin e policëve në kryerjen profesionale të detyrave. Këto pajisje pritet të ndikojnë pozitivisht në pasqyrimin e veprimeve policore dhe minimizojnë rastet në përdorimin e paarsyeshëm të forcës”.

Në shumë situata, regjistrimet e këtyre pajisjeve mund të shërbejnë si dëshmi mbi profesionalizimin e policëve, apo dështimin e tyre për të përdorur forcën e nevojshme. Interesimi i Policisë për pajisje me kamera, vlerësohet të jetë konform nevojave operative dhe ngritjes së përgjegjësisë policore në përmbushje të mandatit ligjor”, thotë IPK-ja.

Mendimin e njëjtë për vendosje të kamerave trupore e ka edhe Shala, i cili thotë se një veprim i tillë do të ishte i mirëpritur.

“Vendosja e ashtuquajtur ‘Bodycamera’ është një veprim i mirëpritur që do të krijonte lehtësira për njësitë të cilat janë në kontakt te vazhdueshëm me qytetarët (policët e rendit  si dhe policët e trafikut)”, deklaroi ai.

Lidhur me këtë çështje, mediumi ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por që nuk ka pasur përgjigje.

Ndërkaq, Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Samedin Mehmeti, në shkurt të vitit të kaluar kishte deklaruar se pjesë e planifikimeve shtesë janë edhe realizimi i projekteve për vendosje të pajisjeve të kamerave të trupit për punonjësit policorë.

Ai kishte theksuar se në këtë mënyrë, do të mundësohej një qasje më profesionale, ngritje e transparencës dhe një menaxhim sa më efikas./SHQIP.com