Lajme

Përfundon punimet Samiti BE-Ballkani Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit

Zhvilloi punimet në Tiranë Samiti i BE për Procesin e Berlinit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë Samit morën pjesë liderët më të rëndësishëm të BE-së. Ishte hera e parë që një Samit i këtij niveli zhvillohej jashtë Bashkimit Europian. Kryeministri Edi Rama priti liderët e unionit para Kryeministrisë. Më pas ata ecën në këmbë drejt Piramidës ku u mbajtën dy sesionet Samitit.

Procesi i Berlinit është nisma që u rindez nga Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe gjatë këtij samiti në kryeqytetin shqiptar do të diskutojë për dy çështje me rëndësi për rajonin tonë: integrimi i tij në një treg të përbashkët si dhe mbështetja që duhet t’i jepet tranzicionit të gjelbër dhe atij dixhital duke vlerësuar sfidat dhe mundësitë që ka për investime në këto dy fusha. Në këtë Samit të pranishëm ishin edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti si dhe ajo serbe, Ana Bërnabiç. Liderët përcollën mesazhe për qetësimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

Të pranishme ishin 31 delegacione, përfshirë këtu dhe përfaqësuesit e insitucioneve financiare si BERZH e FMN apo dhe organizatave rajonale. Veç Kancelarit Scholz, paraardhësja e të cilit Angela Merkel është iniciuesja e kësaj nisme në 2014, në Tiranë ishin edhe Presidetja e Komisionit Europian dhe ai i Këshillit Europian, kryeministrja italiane Meloni etj. Mes liderëve të tjerë ballkanik nuk mungoi edhe kryeministri grek Mitsotakis. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e shty vizitën me disa orë. Ai mbërriti në Tiranë gjatë pasdites, duke humbur kështu punimet e Samitit, por jo vizitën zyrtare në Shqipëri, e para e një presidenti francez në vendin ballkanik që aspiron BE-në.

Përfundimet e Samitit u bënë publike në konferencën për shtyp të kryeministrit Edi Rama, Kancelarit Olaf Scholz dhe Presidentes së KE, Ursula Von Der Leyn nga Piramida. Ndërsa i gjithë takimi i Tiranës përfundoi me inaugurimin përfundimtar të rinovimit të Piramidës.

/Shqip.com